LAJMI I FUNDIT:

Ata që bëjnë gurët të flasin (Foto/Video)

Ata që bëjnë gurët të flasin (Foto/Video)

“Gjiri i Vlorës në jug të Shqipërisë… Atje gurët që rrihen nga dielli ruajnë me xhelozi sekretin e tyre të varrosur”, përshkruhet ndër të tjera në dokumentarin e realizuar nga Radio Televizioni Zviceran, zona arkeologjike e Orikumit.


Dokumentari pasqyron udhëtimin e arkeologëve të Universitetit të Gjenevës në Shqipëri, por edhe misionin e tyre të veçantë në bashkëpunim me homologë të tyre nga Tirana.

“Guri është jeta, mbi të gjitha për arkeologët, sepse ne i bëjmë gurët të flasin dhe qëllimi i arkeologjisë është që të transmetojë njohurinë tek njerëzit. Pra, arkeologjia nuk është një punë në izolim. Është e vërtetë që na jep kënaqësi, përpiqemi të kuptojmë atë që zbulojmë. Por, më e rëndësishmja në jetën e një arkeologu, ose të paktën në jetën time, është që të ndajë njohuritë – zbulimet me publikun”, shprehen ata.

Duke treguar për gërmimet e tyre, ata shprehen se “në fillim punuam mbi një teatër, pastaj në një burim, ndërsa tani flasim për fortifikime bizantine”.

“Në fakt, Orikumi është një zonë shumë e pasur. Është një vend i vogël, me një trashëgimi shumë të pasur jo vetëm materiale, por edhe jomateriale. Kemi ilirët, grekët, romakët, bizantinët, osmanët, venecianët… e gjithë kjo duhet të shihet si një pasuri dhe duhet të drejtohemi në të ardhmen me gjithë trashëgiminë tonë të së kaluarës”, shtojnë ata. /ATSH/