eksperti-banner

Nga: Paul C. Harris / The Washington Times
Përkthimi:Telegrafi.com

Këtë 4 Korrik, Deklarata e Pavarësisë mbush 250 vjet. Është një moment për reflektim të qetë, festim të zhurmshëm dhe për të qepemi, me gjithçka që kemi, pas asaj që ajo premton.


Për mua, ky është gjithashtu një moment për të reflektuar mbi autorin e saj kryesor, Thomas Jeffersonin, një figurë për të cilën më është thënë vazhdimisht se duhet ta urrej, por të cilën unë e nderoj - jo si një shenjt, por për kontributet e tij të jashtëzakonshme në kauzën e lirisë njerëzore.

Muajin e kaluar, në Universitetin e Virxhinias të Jeffersonit - gjatë ceremonisë së diplomimit të vitit 2026 - një administrator i lartë universitar u tha mijëra të diplomuarve se Jeffersoni “nuk ju kishte përfytyruar juve si një mundësi.” Në të njëjtën frymë, ai e zbehu të vetmen përmendje të gjenialitetit të Jeffersonit: “Me gjithë shkëlqimin e tij, pretendimet e tij të pabazuara dhe etikisht brejtëse mbi aftësinë njerëzore, pasqyronin injorancën dhe mendjemadhësinë e tij.”

Ky administrator nuk është fare i vetëm. Qoftë historianë apo gazetarë të vlerësuar me çmime, prirja moderne është ta reduktojë Jeffersonin në një katalog të ceneve, sikur numërimi i dështimeve të tij të ishte vetvetiu një formë përparimi.

Ky zakon për t’u ulur në fronin e gjykimit moral, mbi paraardhësit tanë, mund të jetë thellësisht tendencioz dhe intelektualisht sipërfaqësor.

Sipas çdo matjeje, jam një nga njerëzit të cilët Jeffersoni, sipas pretendimeve, nuk i kishte përfytyruar. Linda në vitin 1964 nga një nënë adoleshente e pamartuar. Shtëpia ime e parë, ashtu si ajo e nënës sime para meje, ndodhej vetëm një milje e gjysmë larg Montiçelos [rezidenca dhe plantacioni i Jeffersonit].

Rrënjët e familjes sime në atë mal shtrihen thellë në histori. Ishte një nder i madh për mua të përfshihesha në një ekspozitë në Montiçelo - si pasardhës i familjeve të skllavëruara që dikur jetuan dhe punuan atje.

Stër-stërgjyshja ime, Eliza Coleman, shërbeu për dekada si rojtare e hyrjes në Montiçelo, një detyrë me përgjegjësi që u trashëgua brez pas brezi në familjen time. Shumë kohë përpara se turistët të ngjiteshin në mal për të reflektuar mbi trashëgiminë e Jeffersonit, anëtarët e familjes sime ndihmonin të përkujdeseshin për të.

Në vitin 1997, kur isha 33 vjeç - po aq sa ishte Jeffersoni kur hartoi Deklaratën e Pavarësisë - u zgjodha në Dhomën e Delegatëve të Virxhinias - në vendin e Jeffersonit në legjislaturën që ai ndihmoi të formësohej.

Isha republikani i parë me ngjyrë i zgjedhur në Asamblenë e Përgjithshme të Virxhinias - pas më shumë se një shekulli.

Pikërisht nga ky këndvështrim unë e shoh prirjen për ta reduktuar Jeffersonin te dështimet e tij - sado me qëllime të mira të jetë ky reduktim - si një shërbim i keq jo ndaj Jeffersonit, por ndaj njerëzve që fjalët e tij çliruan përfundimisht.

Cilatdo qofshin mangësitë e tij - dhe ato ishin reale - fjalët që ai shkroi në korrik të vitit 1776 ndryshuan rrjedhën e historisë njerëzore. Ndërsa Amerika i afrohet 250-vjetorit të saj, ne duhet ta çmojmë këtë të vërtetë me vetëbesim, mirënjohje dhe përulësi, e jo me kritikë prej fariseji.

Në verën e vitit 1776, Jeffersoni shkroi një fjali aq radikale, saqë tronditi themelet e monarkisë dhe të pushtetit të trashëguar në mbarë botën. Ajo vazhdon të jehojë ndër shekuj:

“I konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme.”

Këto fjalë ishin revolucionare jo vetëm sepse sfidonin Mbretin George III, por edhe sepse pohonin diçka shumë më të thellë: se të drejtat e njeriut nuk burojnë nga qeveria. Ato burojnë nga Krijuesi, arkitekti suprem i natyrës dhe i ligjeve natyrore.

Qeveritë mund t’i njohin, t’i mbrojnë ose edhe t’i shkelin të drejtat, por ato nuk ua japin njerëzve. Jeffersoni hodhi poshtë nocionin e lashtë se mbretërit, sundimtarët apo shtetet janë burim i dinjitetit njerëzor. Përkundrazi, ai e kuptoi dhe e artikuloi qartë se barazia njerëzore është e rrënjosur në krijimin hyjnor.

Kjo ide e ndryshoi botën. Ajo frymëzoi abolicionistët që luftuan kundër skllavërisë, aktivistet për të drejtën e votës së grave, disidentët pas Perdes së Hekurt dhe lëvizjet për liri në çdo kontinent.

Asnjë amerikan nuk e ka përshkruar rëndësinë e qëndrueshme të Jeffersonit më fuqishëm se pastori Martin Luther King Jr. Duke qëndruar në shkallët e Memorialit të Lincolnit në vitin 1963, Kingu e quajti Deklaratën e Pavarësisë një “premtim me shkrim,” trashëgimtar i të cilit është çdo amerikan.

Kingu nuk e hodhi poshtë Jeffersonin apo fjalët e tij sepse Amerika kishte dështuar t’i zbatonte ato. Ai iu referua Jeffersonit pikërisht sepse ato fjalë ishin të vërteta. Lëvizja për të drejtat civile pati sukses jo duke e mohuar Deklaratën, por duke këmbëngulur që Amerika ta respektonte atë.

Jeffersoni kishte mangësi; sigurisht që kishte. Ashtu si të gjithë ne. Nëse përsosmëria bëhet standard për rëndësinë historike, atëherë asnjë komb, asnjë udhëheqës dhe asnjë qenie njerëzore nuk do t’i mbijetonte shqyrtimit kritik. Ajo që ka rëndësi është nëse Jeffersoni e çoi njerëzimin drejt lirisë më të madhe, dinjitetit më të madh njerëzor dhe mundësive më të mëdha. Pa asnjë dyshim, ai e bëri këtë.

Vetë jeta ime është dëshmi e fuqisë së eksperimentit amerikan që Jeffersoni ndihmoi të niste. Disa mund ta shohin këtë si një kundërthënie. Unë e shoh si pjesë të historisë së madhe dhe ende të papërfunduar amerikane - një histori jo të përsosmërisë, por të përparimit. I njëjti komb që dikur toleronte skllavërinë, prodhoi gjithashtu parimet që përfundimisht e shkatërruan atë.

Të njëjtat ideale themeluese që dikur iu mohuan shumë njerëzve, u bënë më vonë baza morale mbi të cilën brezat pasardhës zgjeruan lirinë.

Kam pasur mundësi përtej gjithçkaje që nëna ime e re mund të kishte imagjinuar në vitin 1964. Kam shërbyer si oficer në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Kam ushtruar profesionin e avokatit. Kam shërbyer në qeverinë shtetërore dhe më pas në Departamentin e Drejtësisë. Kam mbajtur pozita drejtuese në korporatat amerikane.

Sot jam një ekzekutiv që shërben në fushën e mbrojtjes kombëtare dhe - në një kthesë të jashtëzakonshme të fatit - shërbej edhe në Bordin e Universitetit të Virxhinias.

Jam thellësisht mirënjohës për mundësitë që ky vend ka ofruar për mua dhe për miliona të tjerë që kanë prejardhje modeste. Amerika nuk është e madhe sepse është e pagabueshme. Ajo është e madhe sepse është ndërtuar mbi ideale të përjetshme e të larta, të cilat na thërrasin vazhdimisht të bëhemi më të mirë.

Kjo është ajo që 250-vjetori na kërkon të kujtojmë. Jo se Jeffersoni ishte i përsosur, por se ajo që ai shkroi ishte e vërtetë. Se fjalët e tij mbijetuan ndaj kundërthënieve të jetës së tij. Se ato u bënë gjuha e abolicionistëve, e luftëtareve për të drejtat e grave dhe e udhëheqësve të lëvizjes për të drejtat civile. Se ato u përkasin - plotësisht dhe pa asnjë apologji - gjithë amerikanëve, përfshirë pasardhësit e atyre që Jeffersoni nuk arriti t’i shihte qartë. Ato i përkasin vetë njerëzimit.

Ato më përkasin edhe mua. /Telegrafi/