LAJMI I FUNDIT:

Arti dhe sporti në një familje: Jeta e yjeve mes fushës së gjelbër dhe asaj rozë (Foto)

Arti dhe sporti në një familje: Jeta e yjeve mes fushës së gjelbër dhe asaj rozë (Foto)

Kosova numëron një numër të madh figurash publike nga fusha të ndryshme, ku më së shumti dominojnë ato nga fusha e politikës, sportit dhe e artit.

Talenti i shqiptarëve sidomos në sport dhe kulturë është tashmë i vërtetuar edhe në arenën ndërkombëtare, ku ambasadorët më të mirë të vendit i kemi sportistë ose këngëtarë.

Njëjtë mund të thuhet edhe për ata qӕ gjenden këtu, dhe karrierën e zhvillojnë në tregun shqiptar.

Shpesh mund të rastisim që fushën e sportit dhe atë të artit t’i gjejmë brenda një familje, e kjo ndodh te një numër i vogël fytyrave publike në vend.

Telegrafi ka realizuar një storje të veçantë, lidhur me personazhet e famshëm shqiptarë, të cilët i përkasin të së njëjtit trung familjeje, por që merren me fusha të ndryshme, ndërsa famën e gëzojnë së bashku.

Ata treguan ekskluzivisht se si është jeta në një familje ku ka art dhe sport, një jetë mes fushës së gjelbër dhe asaj mediatike rozë.

Le të ndjekim disa prej rrëfimeve të tyre

Afrim Muqiqi – këngëtar, dhe djali i tij Albani – portier i Prishtinës

Në të majtë: Afrim Muqiqi, këngëtar dhe anëtar i bordit në FC Prishtina, dhe në të djathtë: Alban Muqiqi, portier në FC Prishtina

Këngëtari Afrim Muqiqi tash e sa vite shquhet si një ndër këngëtarët më të mirë të muzikës popullore, dhe është ndër zgjedhjet e para të publikut për ahengje muzikore e dasma të ndryshme. Megjithatë, përveç muzikës, ai e ndan një pjesë të mirë të karrierës së tij edhe në futboll. Ai është njëherësh edhe anëtar i bordit DC Prishtina.

“Po, sporti dhe kultura në përgjithësi janë si vëlla dhe motër, merrem me të dyja njëkohësisht. Asnjërën s’mund t’i ndaj, dhe e them lirisht se merrem me shumë kënaqësi me të dyja”, tha Afrim Muqiqi për Telegrafin.

Ndërkohë, djali i tij, Albani, është portier në klubin FC Prishtina, ndërsa shquhet për performancat e tij të suksesshme në të gjitha ndeshjet që ka luajtur ky klub.

BB Poçi – këngëtar, dhe djali i tij Bardhi – mesfushor në klubin Ramiz Sadiku

Në të majtë: Bardh Bylykbashi, sportist në kategoritë e reja të “FC Ramiz Sadiku”, dhe në të djathtë: Këngëtari BB Poçi me djalin e tij, Bardhin

Bajram Bylykbashi apo i njohur për të gjithë si BB Poçi, është pa diskutim një ndër këngëtarët më të mirë të muzikës ‘rock’ në Kosovë. Ai ka sjell ndër vite këngë që gjithmonë janë pëlqyer nga publiku, ndërsa ende vazhdon të jetë i kërkuar nga publiku nëpër koncerte. Ndryshe nga i ati, djali i tij, Bardhi, ka një tjetër pasion!Ai merret me futboll, dhe luan në U-17, në ekipin futbollistik “RamizSadiku” në Prishtinë.

Me gjithë përpjekjet për ta drejtuar nga arti, BB Poçi tregoi për Telegrafin se ka qenë e pamundur, ngase djali i tij gjithmonë ka shprehur dëshirën të merret me sport, dhe këtë gjë ai ia ka plotësuar.

“Duke u nisur nga fakti që djali im merret me futboll, dhe unë me muzikë, mund të them se është një ndërlidhje mjaft interesante, dhe sigurisht që është kënaqësi me jetu në një familje të tillë. Sporti dhe arti gërshetohen mes vete. Unë në rininë time jam marr me sport dhe më ka pëlqyer gjithnjë, por sigurisht karriera dhe dëshira ime ka qenë që të merrem me muzikë, ndërsa djali im kur ka qenë në moshën tetë vjeçare i kam ofruar të mësojë kitarën, por më ka thënë: “Bab, dua të merrem me futboll”, dhe unë nuk kam qenë prind që imponoj, dhe kështu i plotësova dëshirën që të merret me sport”, ka thënë BB Poçi për Telegrafin.

Vedat Bajrami – aktor në “Stupcat” + aksionar në klubin Rilindja

Aktorët Vedat Bajrami dhe Osman Azemi (Stupcat) gjatë ndjekjes së një prej ndeshjeve të klubit “Rilindja”, pjesë e së cilit është aktori Bajrami si aksionar

E njohim të gjithë si një ndër aktorët më të mirë të humorit në vend, por jo të gjithë e dinë se përpara se ai të merrej me aktrim, ka qenë sportist, pasion i cili ka mbetur akoma në zemër. Vedat Bajrami i “Stupcave”, përveç aktrimit, merret edhe me sport, përderisa është një prej aksionarëve të klubit “Rilindja. Ai për Telegrafin rrëfeu se si ka lindur dashuria e tij për sportin, e deri te rrugëtimi te “Rilindja.

“Unë përpara kam qenë sportist, dhe kam pasur një karrierë prej tetë vitesh në futboll: Kam qenë portier, në klubin “Prishtina” fillimisht, më pas në “2 korriku” dhe në “Kosovë-Prishtinë”. Biles ende më ekziston edhe libreza e portierit. Më pas kam hapur një firmë pranë Ministrisë, e cila quhej “Vedat Bajrami Sport”, ku kam sjell lojtarë nga jashtë si: Gauthier Mankenda, i cili ka qenë mjaft i suksesshëm, mandje kemi zhvilluaredhe një talent të ri si Edon Zhegrova, me të cilin kemi punuar tri vite. Më pas kemi themelu “Rilindjen” së bashku me Xhevat Abazin. Ideja për tu marrë me sport më ka lindur shumë më herët. Kam pasur oferta për me marr shumë ekipe tjera, por s’kam dashur të kem telashe, sepse nuk e kam parë asnjëherë në aspektin profitabil. Jam mundur gjithmonë t’u lë hapësirë talenteve të rinj. Unë kam pas dëshirë që me e marr një akademi, ku munden me garu në U-18, ndoshta në Ligën e parë, por gjithsesi ata futbollistë me pas kushte të mira, ndaj dhe kemi investuar në ndërtimin e një stacioni, fillimisht kemi arritur të ndërtojmë gjysmë fushe, por më pas kemi bërë edhe renovime tjera, të cilat kanë rezultuar me sukses, dhe shpresojmë se nga vera gjithçka të jetë në vendin e përkryer, pasi kemi bërë kogja investim”, thotë Vedat Bajrami për Telegrafin.

Disa nga imazhet e fushës, përgatitjes së kostumeve të klubit “Rilindja”

“Sa i përket pjesës së artit, unë sportin e kam dashtë shumë, por kur kam vendos për fakultet, sporti më ka mbet vetëm hobi. Megjithatë kemi bërë disa herë ndërfutje mes artit dhe sportit. Kemi themeluar bordin e bordave, më pas kemi dedikuar edhe një këngë me titull “Jemi dardanët”, më pas flamuri në Shkodër, me pak fjalë disa ide kreative por që kanë shërbyer shumë mirë edhe për sport. D.m.th unë si aktor kam krijuar njohje me emra të sportit, sepse dashur pa dashur, profesioni ynë të bënë të njohur, ndaj gjithmonë kam pasur miqësi me emra të njohur si Granit Xhakën apo Valon Behramin, por që përsëri kanë mbetur miq dhe nuk i kam shfrytëzuar për favore si zhvillimi i talenteve të klubit tim pranë tyre apo diçka të tillë! Kam ruajtur një raport të mirë. Megjithatë, e rëndësishme është që nëse ne dimë dhe duam, mund të arrijmë, ndaj futbolli kosovar është drejt një rruge mjaft të sigurt”, përfundon aktori Bajrami.

Getoar Selimi – reper, dhe kushëriri i tij Shend Kelmendi – futbollist në skuadrën Skënderbeu

Në të majtë: Shend Kelmendi, futbollist në skuadrën Skënderbeu, dhe në të djathtë, kushëriri i tij, reperi Getoar Selimi

Janë dy djem shumë të njohur për publikun, njëri është ndër reperët më të pëlqyer të estradës, teksa tjetri luan në skuadrën Skënderbeu. Getoar Selimi – Geti dhe Shend Kelmendi janë mes djem të tezes, ndërsa që të dy janë shumë të pëlqyer në fushën në të cilën ata veprojnë.

Ndonëse nuk janë parë asnjëherë së bashku, apo prononcuar para kamerës për lidhjen e tyre familjare, dyshja në fjalë ruajnë një raport të mirë mes vete.

Në fakt, ata nuk janë emrat e vetëm të njohur në këtë familje, pasi edhe stilisti i njohur kosovar, Valdrin Sahiti, është djali i tezës tjetër të tyre.

Capital T – reper, dhe babai i tij Agim Ademi – nënkryetar i FFK

Në të djathtë: Agim Ademi, nënkryetar i Federatës Futbollistike të Kosovës,. dhe në të djathtë: reperi Trim Ademi (Capital T)

Trim Ademi, i njohur për publikun si Capital T është një prej reperëve më dominues në tregun muzikor shqiptar. Prurjet e tij muzikore gjithnjë shndërrohen në hite, teksa në sy bie gjithmonë edhe stili i tij unik. Megjithëse ka qëndruar ‘hermetik’ sa i përket jetës privat,e duke mos zbuluar shumë nga familja e tij, Capital T nuk mbetet emri i vetëm i njohur nga familja, kjo pasi babai i tij, Agim Ademi, është nënkryetar i federatës Futbollistike të Kosovës.

“Është ndjenjë e mirë me qenë pjesë e një familje ku ka art dhe sport, këto të dyja gjithnjë gërshetohen mes vete. Babi merret me punën e tij, ndërsa unë gjithnjë jam marrë, dhe vazhdoj të merrem me muzikë”, ka thënë Capital T për Telegrafin.

Figurat publike të lartpërmendura treguan pak nga jeta e tyre në një familje mes dy fushave të ndryshme. Megjithëse sporti dhe kultura e gjejnë veten në një ministri, të famshmit dhe të arriturat e tyre në këto fusha rrallë e kanë gjetur përkrahjen nga një institucion i tillë. Sido që të jetë, disa të bashkuar në një familje, e disa vetëm por me qëllimin e qartë për të ecur përpara, ia kanë dalë mirë në rrugën drejt suksesit, dhe sot Kosova dhe Shqipëria përmenden në botë falë emrave që na bëjnë krenarë pikërisht nga këto dy fusha: arti dhe sporti. /Gazetarë: Lavdim Pireva & Butrint Avdyli /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Magazina
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Revista 'People' i kushton artikull prindërve të Rita Orës: Si vajza që këndonte në lokalin e babait të saj, u bë një yll botëror

Revista 'People' i kushton artikull prindërve të Rita Orës: Si vajza që këndonte në lokalin e babait të saj, u bë një yll botëror

Magazina
Sin Boy sulmohet brutalisht në një sallon bukurie, teksa po hynte 'live' në TikTok?

Sin Boy sulmohet brutalisht në një sallon bukurie, teksa po hynte 'live' në TikTok?

Magazina
Monika Salihu mes dy melodive: asaj të jetës dhe karrierës -

Monika Salihu mes dy melodive: asaj të jetës dhe karrierës - "Çika e boksierit" flet për muzikën, personalen dhe përkushtimin ndaj fesë

Butrint Avdyli
Kalo në kategori