LAJMI I FUNDIT:

Arrihet marrëveshja për “drejtësinë”, pritet votimi në Kuvend

Arrihet marrëveshja për “drejtësinë”, pritet votimi në Kuvend

Pas më shumë se 6 orë negociata palët politike kanë arritur dakordësinë për votimin e draftit të reformës në drejtësi, duke përmbyllur me sukses një proces të gjatë dhe të lodhshëm.


Kryeministri Edi Rama e ka komentuar arritjen e marrëveshjes përmes gjuhës së simboleve “emoji”, që në rastin konkret janë fytyrat e gëzuara dhe flamujt e Shqipërisë, BE-së dhe SHBA-ve.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka përshëndetur dakordësinë me fjalët: “Falënderoj kryeministrin Rama, kryetarin e PD Basha dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Marrëveshja, shenjë pjekurie dhe bashkimi. Të formalizojmë procesin me votën unanime në Kuvend”.

Projekti mbi mënyrën e zgjedhjes së 5 anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe 5 anëtarëve jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte pika e fundit e mosdakordësisë mes palëve. Mbetet në fuqi formula hibride, ku nga 11 anëtarë të KLGJ-së, 6 i zgjedh trupa e gjykatësve, ndërsa 5 të tjerët zgjidhen nga Kuvendi. Komisioni që i zgjedh duhet të miratojë një listë në bllok që duhet të marrë 4 nga 5 vota. Institucionet në fjalë do të zgjidhen me konsensusin e opozitës, ndërsa në rast bllokimi do të zgjidhen me short.

Drafti është propozuar nga ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin, gjatë një takimi të zhvilluar në kryesinë e Kuvendit me kreun e PD-së, Lulzim Basha, si dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Drafti në fjalë është pranuar menjëherë nga krerët e mazhorancës, ndërkohë që lideri i opozitës kërkoi më shumë kohë dhe konfirmoi dakordësinë për draftin pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.

Tashmë nuk mbetet vetëm që të mblidhet Komisioni “Ad-Hoc” për të zyrtarizuar marrëveshjen dhe më pas për ta votuar në Kuvend.