LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet në Tiranë 30 vjeçari nga Kosova, mashtroi disa qytetarë duke iu marrë 135 mijë euro kinse për investim në call center

Arrestohet në Tiranë 30 vjeçari nga Kosova, mashtroi disa qytetarë duke iu marrë 135 mijë euro kinse për investim në call center
Foto: Ilustrim

Një 30 vjeçar me inicialet Q.K nga komuna e Kamenicës është arrestuar në Tiranë, nën dyshimin se kishte mashtruar një shtetase të Shqipërisë duke përfituar kështu 135,000 euro.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, nisur prej vitit 2021, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Mysafiri”.


Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit Q. K., 30 vjeç, banues në Kamenicë, Kosovë,  për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135,000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në call center”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.

Nga hetimet e realizuara ka rezultuar se kosovari nëpërmjet mashtrimit ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/