LAJMI I FUNDIT:

Arrestimi i dy rusëve në Leposaviq, Islami: Kosova është vend i atakuar nga shërbimi ruso-serb

Arrestimi i dy rusëve në Leposaviq, Islami: Kosova është vend i atakuar nga shërbimi ruso-serb

Mëngjesin e së hënës, dy shtetas rus janë arrestuar në fshatin Sarpel të Komunës së Leposaviqit të cilët kishin kaluar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit, konfirmoi se mungesa e vizës dhe leje qëndrimit e pamundësoi qëndrimin e tyre në Kosovë, prandaj ata u ndaluan për 24 orë nga Gjykata.


Policia jep detaje për arrestimin e dy shtetasve rus
Lexo po ashtu Policia jep detaje për arrestimin e dy shtetasve rus

Sipas profesorit të Shkencave të Sigurisë, Avni Islamit hyrja ilegale e shtetasve rus në territorin e Republikës së Kosovës nuk po ndodh për herë të parë, e sipas tij nuk do të jetë kjo as hera e fundit që kjo ndodh.

Islami për Telegrafin tha se edhe Kosova edhe shtetet e rajonit, kanë një numër të madh të shërbimeve inteligjente të huaja, persona këta që kamuflohen si gazetarë, fotoreporterë e mënyra të tjera, sidomos janë persona të shërbimeve inteligjente ruse e serbe.

“Nuk është kjo hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit ku shumë shtetas të Rusisë të kamufluar në cilësinë gazetarëve ose fotoreporterëve ose mënyra të tjera si në emër të OJQ-ve hyjnë në Kosovë në mënyrë ilegale për shkak se shtetasit rus që të hyjnë në vendin tonë duhet të pajisen me leje hyrëse ose me viza. Duhet thënë se vendi ynë, Kosova por edhe shtete përreth si Shqipëria Maqedonia dhe Mali i Zi janë duke “vluar” nga shërbimet inteligjente të huaja, e sidomos nga ai rus dhe serb. Si dhe të tjera të cilat punojnë në shërbim të shteteve armike të vendit tonë”, u shpreh Islami.

Sipas profesorit të Shkencave të Sigurisë, Rusia e Serbia janë maksimalisht të angazhuara për destabilizim të Ballkanit, ndërsa një gjë e tillë në Kosovë mund të bëhet shumë lehtë nga ata përmes komunitetit serb.

“Duhet theksuar se Rusia së bashku me Serbinë janë të angazhuara maksimalisht për destabilizimin e Ballkanit, duke përdorur metoda të sofistikuara sidomos propagandën kundër vendeve të perëndimit në mënyrë që ta rris ndikimin e vet në Evropë, në kuadër të kësaj edhe Kosova është vendi  i atakuar nga shërbimi ruso-serb e të cilat e kanë shumë më lehtë ta shtrijnë ndikimin e vet përmes minoritetit serb”, thotë Islami.

Megjithatë, Islami thotë se shërbimet e sigurisë në Republikën e Kosovës në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, do të vazhdojnë edhe më tutje të ruajnë paqen e stabilitetin e Republikës së Kosovës.

Por, duke ju falënderuar shërbimeve të Sigurisë së vendit tonë dhe shërbimi inteligjent të sigurisë, të cilat janë të mandatuar nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që ta ruajnë paqen dhe sigurinë në vendin tonë deri më sot kanë zmbrapsur tentativat për destabilizim të vendit tonë dhe kësisoj Kosova ka arrit ta ruaj gjendjen e sigurisë dhe stabilitetit të saj, po ashtu edhe në të ardhmen nuk pres destabilizim për shkak të vigjilencës së institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe vendeve mike të cilat në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, do ta ruajnë paqen e përhershme në Kosovë”, tha Islami. /Telegrafi/