Policia e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi në dy raste të ndara në zonën e Zubin Potokut, gjatë patrullimeve të realizuara më 18 prill 2026.

Sipas raportit 24-orësh, rasti i parë është regjistruar rreth orës 13:10 në fshatin Luca Reka, në lokacionin Paljevë, ku njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur një armë gjysmë automatike me bajonetë, fishekë të kalibrave të ndryshëm, uniforma si dhe një logo të shtetit serb.


Të gjitha provat materiale janë sekuestruar, ndërsa rasti është iniciuar për hetime të mëtejme.

Ndërkaq, vetëm pak orë më vonë, rreth orës 15:35, në një tjetër shtëpi të pabanuar në Paljevë të Zubin Potokut, policia ka hasur në një arsenal edhe më të madh armësh.

Në këtë lokacion janë gjetur dhe konfiskuar një zollë, një armë automatike AK-47, granata dore, trombllona, karikatorë të AK-47, fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe bajoneta.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e specializuara për deminim (EOD), të cilat kanë trajtuar mjetet shpërthyese dhe kanë siguruar zonën.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për të dy rastet janë në zhvillim, ndërsa po punohet për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. /Telegrafi/