Albin Kurti shkruan për filmin "Era" të Parta Kelmendit - e shikon premierën në kinema

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë fjalë të ngrohta dhe vlerësim të thellë për filmin më të ri artistik “Era” të regjisores dhe skenaristes Parta Kelmendi, duke e cilësuar si një prej krijimeve më prekëse të kinemasë sonë të viteve të fundit.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se “‘Era’ e Parta Kelmendit është film artistik që ngjan më i vërtetë se një film dokumentar, duke prekur thellë me heshtje shtypëse, me kujtimet që na i ndez nga zërat e mbetur pezull në vorbullën e viteve ’90”.
Ai ka rikujtuar periudhën pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989, kur nisi përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga puna, arsimi dhe shëndetësia, si dhe emigrimi masiv i detyruar. Përmes personazhit të Era Gashit, të interpretuar mjeshtërisht nga Zana Berisha, filmi – sipas Kurtit – e shpalos diskriminimin e ashpër të atyre viteve që i paraprinë luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë.
- YouTube youtu.be
“Nëpërmjet ankthit e fatit familjar e individual, shpalosen bukur dy lloje të guximit: për t’u larguar nga familja dhe për të qëndruar në Kosovë. Fjalia ‘Kjo është mbijetesë, Shpresë.’ e përmbledh ndoshta në mënyrën më të ndjerë thelbin e filmit”, – ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se premiera e filmit u mbajt mbrëmjen e kaluar në Cineplexx Albi Mall, ku emocionet dhe reflektimet u përjetuan fuqishëm nga aktorët, profesionistët e filmit dhe dashamirësit e kinemasë.
“Filmi ‘Era’ na e përkujton se edhe para luftës nuk kishim paqe, se paralufta nuk ka më pak ndikim në formësimin tonë kolektiv sesa vetë lufta”, – ka shtuar ai.
Pas suksesit në Brooklyn Film Festival dhe çmimit për Aktoren më të Mirë që e mori Zana Berisha, filmi “Era” po vazhdon rrugëtimin e tij ndërkombëtar, duke përfaqësuar me dinjitet kinemanë kosovare.
Në fund, Kurti ka uruar regjisoren Parta Kelmendi, aktoren Zana Berisha dhe gjithë ekipin e filmit për këtë arritje të rëndësishme:
“Urime regjisores e skenaristes Parta Kelmendi, Zana Berishës e gjithë ansamblit të aktorëve si dhe ekipit të filmit për këtë arritje të rëndësishme artistike që i jep frymë të re kinemasë sonë.”
Filmi “Era” do të vazhdojë të shfaqet në kinematë e Kosovës – çdo natë në Prishtinë dhe me premierën e radhës në Prizren. /Telegrafi/




















































