LAJMI I FUNDIT:

Alban Zogaj emërohet shef i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës

Alban Zogaj emërohet shef i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar Alban Zogajn si shef i kabinetit në këtë ministri.

Abdixhiku ka bërë me dije se Zogaj e ka të përfunduar magjistraturën në Britani të Madhe e doktoraturën për ekonomi në Itali.


“Është i specializuar në politikat makroekonomike, ekonomiksin e zhvillimit, politikat industriale, financat publike e në menaxhment. Ka të publikuara një sërë punimesh ekonomike në revistat më prestigjioze ndërkombëtare. Së fundmi ishte ekonomist kryesor në organizatën prestigjioze amerikane MCC, zyra në Kosovë. Si ekspert i ekonomisë, si ligjërues universitar, si menaxhues i jashtëzakonshëm, Albani me përvojën e tij 15 vjeçare në projekte brenda e jashtë vendit, do t’i sjellë ekipit tim koordinimin e energjinë e domosdoshme. Vlerat e tij të punës, etika e dija që në vete bartë ai, do të jenë asete për gjithë ekipin tim; për ministrinë, shoqërinë e Republikën”, ka njoftuar Abdixhiku në llogarinë e vet në Facebook.

Kujtojmë se Zogaj ka qenë kryeekonomist në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë. /Telegrafi/