Aktori i “Breaking Bad”, Giancarlo Esposito konvertohet në Islam gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite


Aktori amerikan, Giancarlo Esposito, i njohur për rolin e Gus Fring në serialin e famshëm “Breaking Bad”, raportohet se ka përqafuar fenë islame gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite.
Sipas medieve saudite, kreu i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit, Turki Al-Sheikh, ka bërë të ditur se aktori ka shqiptuar Shahadan, deklaratën islame të besimit, dhe më pas është bashkuar me anëtarët e ekipit të xhirimeve në lutje brenda një xhamie.
Al-Sheikh ka treguar se vendimi i Espositos erdhi pas përvojave pozitive që ai pati gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite dhe kontakteve të afërta me myslimanët në sheshxhirim.

“Ai u impresionua nga komuniteti dhe mikpritja që gjeti”, është shprehur ai, sipas raportimeve të medieve lokale.
Aktori, i cili ka ndërtuar një karrierë të gjatë në kinematografi dhe televizion me role në “Breaking Bad”, “Better Call Saul” dhe “The Mandalorian”, ndodhet aktualisht në Arabinë Saudite ku po xhiron filmin “Seven Dogs”.
Vitet e fundit, Arabia Saudite ka shtuar investimet në industrinë e filmit dhe argëtimit, duke tërhequr emra të njohur ndërkombëtarë dhe duke synuar të shndërrohet në një qendër të rëndësishme rajonale për prodhimet kinematografike. /Telegrafi/















































