"Krimi në “Panda” nuk u krye nga shqiptarët", familjet kujtojnë deklaratat e Vuçiqit dhe kërkojnë zbardhjen e rastit

Vrasja e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, më 14 dhjetor 1998, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas pretendimeve të reja për autorët e dyshuar të krimit.
Megjithatë, familjarët e viktimave thonë se nuk u besojnë më spekulimeve dhe kërkojnë vetëm prova zyrtare nga organet e drejtësisë.
Avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i ka dorëzuar Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar në Serbi një kërkesë për marrjen në pyetje të Radomir Boban Baçeviq, pasi emri i tij u përmend nga Milosh Medenica – një i dënuar në arrati nga Mali i Zi – si autor i drejtpërdrejtë i të shtënave në kafenenë “Panda”.
Zvonko Gvozdenoviq, babai i Vukota Gvozdenoviq, i cili u vra në moshën 16-vjeçare, deklaroi për portalin Nova, se familjet nuk duan më të dëgjojnë pretendime të pabazuara.
“Nuk e di nëse Medenica po thotë të vërtetën apo jo. Dikush nga Prokuroria duhet ta hetojë këtë dhe të përcaktojë nëse ka ndonjë bazë në këto pretendime. Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që dikush përdor vdekjen e fëmijëve tanë”, tha ai.
Sipas Gvozdenoviq, gjatë viteve janë përmendur shumë emra si autorë të mundshëm të masakrës, por asnjëherë nuk janë paraqitur prova që do të çonin në zbardhjen e rastit.
“Ne duam vetëm prova dhe emrat e atyre që qëlluan, si dhe të atyre që urdhëruan krimin. Jo emra që qarkullojnë nëpër thashetheme, por emra që do të konfirmohen nga Prokuroria”, u shpreh ai.
Ai kritikoi edhe institucionet serbe për mungesën e progresit në hetime, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se një dekadë pa rezultate konkrete.
Masakra në kafenenë “Panda”
Më 14 dhjetor 1998, persona të armatosur hapën zjarr me armë automatike në kafenenë “Panda” në Pejë, ku ishin mbledhur të rinj serbë.
Në sulm u vranë Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenoviq (16), Zoran Stanojeviq, Svetislav Ristiq (17), Dragan Trifunoviq (17) dhe Ivan Radevićq (25).
Po ashtu, Vladimir Lonçareviq dhe pronari i lokalit, Mirsad Shaboviq, u plagosën rëndë, ndërsa Nikola Rajoviq pësoi lëndime të lehta.
Vrasja e gjashtë të rinjve me etni serbe ndodhi në një kohë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta.
Lufta midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka filluar tashmë.
Ditën e vrasjeve të “Pandas”, disa anëtarë të UÇK-së u vranë në një pritë nga forcat serbe, ndërsa transportonin armë nga Shqipëria.
Vrasjet në “Panda” u panë si një akt hakmarrjeje, që rezultoi në arrestimin e shqiptarëve në Pejë.
Të gjithë u liruan nga akuzat 12 muaj më vonë në një gjykatë në Beograd për shkak të mungesës së provave.
Vuçiq sugjeroi në vitin 2013 se krimi "mund të mos jetë kryer nga shqiptarët".
Zyra e Prokurorit Serb filloi një hetim në vitin 2016, por ende nuk ka rezultate./Telegrafi.






































