Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të ministrit të Punës, Andin Hoti dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Raporti 48-orësh nga Inspektorati Qendror i Punës paraqet rezultatet e inspektimeve të realizuara në kuadër të këtij aksioni.


Referuar raportit janë realizuar gjithsej 72 inspektime, prej të cilave në 34 raste është shqiptuar masa e ndalimit të punës.

Ndërkaq, vetëm 2 raste kanë përfituar leje pune, ndërsa janë dhënë edhe 22 vërejtje dhe 16 subjekte kanë rezultuar pa shkelje.

Inspektimet janë zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Lipjan.

Numri më i madh i ndalimeve të punës është shënuar në Ferizaj me 8 raste, ndërsa pasojnë Gjilani dhe Fushë Kosova me nga 6 ndalime.

Por, me gjithë aksionin një punëtor i moshës 46 vjeç ka rënë nga kati i dytë i një objekti në ndërtim në rrugën “Uran Tinova”, në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur të premten, ndërsa është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas tij, për shkak të lëndimeve të pësuara fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas në QKUK në Prishtinë.


Ndryshe, autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe rritjes së sigurisë në vendin e punës.

Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe rritjes së sigurisë në vendin e punës. /Telegrafi/