Çmimet e prodhimit rriten me 7.9% krahasuar me vitin e kaluar

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e parë të vitit 2026, ku është shënuar rritje si në bazë tremujore ashtu edhe vjetore.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është rritur për 2.3% krahasuar me TM4 2025.
“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë (IÇP) pati një ngritje prej 2,3% ndërmjet TM1 2026 dhe TM4 2025”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, TM1 2025, çmimet e prodhimit kanë shënuar rritje mesatare prej 7.9%.
“Çmimet e Prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 7,9% në mes të TM1 2026 dhe TM1 2025”, thekson ASK.
Sipas të dhënave, rritjet më të mëdha janë regjistruar në disa degë të ekonomisë, përfshirë furnizimin me ujë, prodhimin e pijeve dhe prodhimin e letrës.
“Ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (34,4%); prodhimi i pijeve (15,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (9,6%)”, thuhet më tej në komunikatë.
ASK ka bërë të ditur gjithashtu se rritja është neutralizuar pjesërisht nga rënia e çmimeve në disa sektorë, përfshirë energjinë elektrike dhe prodhimin e metaleve.
“Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (-2,7%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-1,8%); prodhimi i metaleve (-2,6%)”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka theksuar se të dhënat pasqyrojnë ndryshimet në çmimet e prodhimit gjatë periudhës raportuese./Telegrafi/







































