Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, ka lënë të kuptohet se Marcus Rashford mund të ketë ende një të ardhme në “Old Trafford”, teksa vlerësoi cilësitë e sulmuesit pas rikthimit të tij në stërvitje.

Rashford nuk ishte pjesë e skuadrës së United në ndeshjen miqësore ndaj Leeds United, të cilën “Djajtë e Kuq” e fituan pas ekzekutimit të penalltive në “Croke Park”.


Sulmuesi anglez ishte rikthyer në stërvitje vetëm në fillim të kësaj jave.

Megjithatë, Carrick konfirmoi se rikthimi i 28-vjeçarit ka qenë pozitiv dhe la të kuptohet se ai mund të luajë ende një rol të rëndësishëm në planet e Manchester United.

“Është lojtari ynë. Është rikthyer shumë mirë, njësoj si çdo lojtar tjetër. E njoh prej kohësh dhe ai na jep diçka pak më ndryshe”, deklaroi Carrick.

“Që prej rikthimit ka qenë në humor shumë të mirë. Ka vetëm dy ose tri ditë që është kthyer”, shtoi trajneri i United.

Deklaratat e Carrick japin një sinjal të qartë se dera për Rashfordin në “Old Trafford” nuk është mbyllur, pavarësisht pasigurive të mëparshme rreth të ardhmes së tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app