"Ai është i tillë, ashtu i thotë gjërat" - deklaratat e Xhakës pas barazimit me Katarin ndezin debat në Zvicër


Fillimi i Zvicrës në turneun e Kupës së Botës ishte një katastrofë e madhe. Kundër Katarit, skuadra e drejtuar nga Murat Yakin lëshoi nga duart fitoren që dukej e sigurt dhe në fund u detyrua të kënaqej me një barazim.
Kjo e mërziti veçanërisht kapitenin Granit Xhaka, i cili, si shpesh, dha mendimin e tij në intervistën pas ndeshjes.
“Nëse trajneri sjell një lojtar dhe ai lojtar përpiqet të bëjë gjithçka, dhe ju humbni disiplinën në pozicione të caktuara, atëherë bëhet e vështirë”, kritikoi publikisht Xhaka lojtarët që u futën në fushë si zëvendësues.
“Thjesht duhet të bësh atë që trajneri kërkon prej teje dhe të mos ndihesh sikur duhet të jesh ‘showman’ dhe të bësh gjithçka vetë”, nënvizoi ai.

Huggel mbështet Xhakën për deklaratat
Ish-reprezentuesi zviceran, Beni Huggel, është pajtuar me vlerësimin e kapitenit të Zvicrës. Sipas tij, disa prej futbollistëve të aktivizuar gjatë ndeshjes nuk i respektuan plotësisht detyrat taktike.
“Manzambi dhe Amdouni nuk i mbajtën mirë pozicionet e tyre. Të dy duhej të kishin luajtur më shumë në krah”, u shpreh Huggel në cilësinë e ekspertit për “Blue Sport”.
Ai shtoi se nuk sheh asgjë të gabuar në faktin që Xhaka i adreson publikisht këto probleme.
“Mendoj se është mirë që e thotë këtë. Nëse nuk i adreson këto çështje, atëherë vetëm sa gënjen veten”, tha Huggel.
Megjithatë, ai pranoi se mbetet e diskutueshme nëse kritikat duhet të bëhen publikisht apo brenda grupit.
“Xhaka mund t’i shmangte këto deklarata para mediave, por ai nuk është i tillë. Ai gjithmonë flet hapur dhe e shpreh atë që mendon”, shtoi ish-mesfushori zviceran.

Jo gjithmonë vetëm Xhaka
Me deklaratat e Huggelit u pajtua edhe Andreas Boni, kryeredaktor i “Blue Sport”, duke e cilësuar Xhakën person që i thotë gjërat hapur.
“Graniti është një person që gjithmonë thotë atë që mendon”, deklaroi Boni.
Megjithatë, ai theksoi se ndikimi i fjalëve të kapitenit mund të zbehet nëse kritikat publike përsëriten pas çdo ndeshjeje.
“Nëse të njëjtën gjë do ta thoshte Gregor Kobel apo Breel Embolo, do të kishte një efekt tjetër. Nuk do të çuditesha nëse në ndeshjet e ardhshme përgjegjësia ndahet edhe nga liderë të tjerë të skuadrës për të mos lënë gjithçka mbi shpatullat e Xhakës”, tha Boni.

Nga ana tjetër, Huggel beson se jo të gjithë lojtarët kanë gatishmërinë për të folur hapur si kapiteni i tyre.
“Ndoshta të tjerët i diskutojnë këto gjëra brenda ekipit dhe ne nuk dëgjojmë për to. Por është e rëndësishme të kesh lojtarë si Graniti, që e mbajnë gjithmonë brenda vetes dëshirën për të fituar”, theksoi ai.
Sipas Huggelit, pikërisht ky mentalitet e dallon Xhakën si lider të kombëtares zvicerane.
“Do të doja të kishte edhe disa lojtarë të tjerë me të njëjtin mentalitet”, përfundoi ish-reprezentuesi zviceran. /Telegrafi/






































