LAJMI I FUNDIT:

Shtatë zotimet e Ahmetit për Hajvalinë

Shtatë zotimet e Ahmetit për Hajvalinë

Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me AKR-në mbajtën tubim në lagjen Hajvjalia. Në emër të këtyre dy subjekteve të pranishmit i përshëndetën drejtori i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputeti Islam Pacolli, të cilët kërkuan nga banorët e Hajvalisë që ta mbështesin Shpend Ahmetin në zgjedhjet e 19 nëntorit.

Në fjalën e tij të rastit, partneri qeverisës nga ana e AKR-së, Selim Pacolli, tha se së bashku me Shpendin do të punojnë për ta zhvilluar më tutje Prishtinën.


“Shpend Ahmeti do ta ketë mbështetjen tonë të plotë si AKR, do ta ketë mbështetjen e gjithë qytetarëve të Hajvalisë, do ta ketë mbështetjen e gjithë qytetarëve të Gollakut”, tha Selimi, duke shtuar bashkëqeverisja mes këtyre dy subjekteve është dëshmuar e suksesshme edhe në mandatin e parë, e do të jetë edhe më e suksesshme në katër vitet e ardhshme.

Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti falënderoi banorët e Hajvalisë për mbështetjen e madhe që po na japin në vazhdimësi.

“Me AKR-në dhe disa subjekte të tjera, do ta kemi shumicën në Kuvendin Komunal, dhe do ta kemi shumë më të lehtë realizimin e projekteve tona. Tashmë i kemi harmonizuar pikat kryesore programore, të cilat përbëjnë boshtin e qeverisjes sonë të ardhshme katërvjeçare në Prishtinë”, tha Ahmeti.

Ai numëroi disa nga zotimet për Hajvalinë, që do të realizohen brenda katër viteve të ardhshme:

“Do të përfundohet stadiumi i Hajvalisë; Do ta renovojmë Qendrën e Kulturës; Do të përfundohet shtrimi i të gjitha rrugicave; Do të zgjerohet ndriçimi publik; Do të përfundohet rindërtimi i rrugës ‘Richard Holbrooke’; Do të bëhet zgjerimi i Rrugës së Gjilanit; Do të zgjerohet rruga ‘Holger Petersen’”, premtoi Ahmeti.