ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Federata Meksikane e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Rafael Marquez si trajner të përfaqësueses së Meksikës për ciklin e Kupës së Botës 2030.

Ish-mbrojtësi legjendar i Barcelonës do të marrë drejtimin e kombëtares pas përfundimit të mandatit të Javier Aguirre, të cilit i shërbeu si ndihmëstrajner gjatë Kupës së Botës 2026.


Ky vendim ishte planifikuar prej kohësh. Më 1 gusht 2024, Federata Meksikane kishte bërë të ditur se Aguirre do ta drejtonte kombëtaren në Kupën e Botës 2026, ndërsa më pas stafetën do ta merrte Rafael Márquez.

Meksika e mbylli aventurën në Botërorin 2026 në fazën e 1/8 së finales, duke i hapur rrugën zbatimit të planit të trashëgimisë të hartuar dy vite më parë.

Tashmë, Marquez do të ketë detyrën të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe ta përgatisë Meksikën për Kupën e Botës 2030, me synimin për ta rikthyer Meksikën mes kombëtareve më të forta në skenën ndërkombëtare.

Marquez konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e futbollit meksikan. Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai shkëlqeu me Barcelonën, duke fituar trofe të shumtë dhe duke qenë për vite me radhë lider i kombëtares së Meksikës. /Telegrafi/

telegrafi sport app