Agim Ademi uron Feronikelin për fitimin e Kupës së Kosovës: Me meritë fituat trofe, rrugëtim të mbarë në Ligën e Kampionëve


Feronikeli është fitues i Digitalb Kupës së Kosovës për edicionin 2018/19, pasi në finalen e madhe e ka mposhtur thellë Trepçën ’89 me rezultat 5-1.
Kampionët e Kosovës kanë dominuar në futbollin kosovar duke fituar dy trofetë me çka kanë konfirmuar fuqinë që kanë.
E pas triumfit në Digitalb Kupën e Kosovës, Niklin e ka uruar edhe i pari i Federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Numri një i FFK-së, në urimin e tij ka thënë se Nikli me meritë i fitoi trofetë, derisa i ka uruar rrugëtim të mbarë në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/ Urimi i plotë i presidentit të FFK-së, Agim Ademi: Të nderuar drejtues të KF “Feronikeli”, Të nderuar futbollistë, trajnerë e staf administrativ i klubit, Të nderuar tifozë, Më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju përgëzoj për fitoren e sotme të merituar në finalen e Digitalb Kupës së Kosovës. Kurorëzimi juaj me trofeun e dytë në këtë edicion dëshmon punën e palodhshme, përkushtimin dhe investimin serioz që keni bërë si klub. Paraqitjet e juaja gjatë tërë këtij edicioni, por edhe loja e sotme në finale kanë bërë që të gëzoni simpati të gjerë tek opinioni futbolldashës, me çka konfirmuat se me meritë e keni shijuar gëzimin e trofeve të këtij edicioni, njëherësh duke vendosur rekord në futbollin tonë – me fitimin për herë të dytë të kurorës së dyfishtë. Me këtë rast, dua që t’ju uroj rrugëtim të mbarë në paraqitjen tuaj të parë në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve, që sivjet do të zhvillohen në vendin tonë. Jam i bindur që përkrahja e tifozëve do të jetë madhështore dhe suksesi juaj nuk do të mungojë. Mbarësi dhe suksese të mëtutjeshme! Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së






































