LAJMI I FUNDIT:

Abdixhiku i tha Kurtit ta kthejë diplomën, reagon profesori i kryeministrit

Abdixhiku i tha Kurtit ta kthejë diplomën, reagon profesori i kryeministrit

Deklarata e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ditë më parë në Kuvendin e Kosovës se kryeministri Albin Kurti duhet ta dijë se çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet e nëse nuk e di si inxhinier ai duhet ta kthejë diplomën e tij në fakultet ka ngjallur reagime.

Pas Kurtit, i cili një ditë më parë iu kundërpërgjigj Abdixhikut, ka reaguar edhe profesori Agni Dika.


Ai në një postim në Facebook shkruan se nuk mund të mos reagojë, kur dëgjon të tillë që e nënçmojnë diplomën e Kurtit, kur e di se ka qenë absolutisht njëri ndër studentët më të mirë të cilëve u ka mbajtur mësim, gjatë punës së tij mbi 45 vjeçare në universitet.

Lexoni të plotë postimin e profesorit Agni Dika:

Të nderuar miq,

Nuk mundem të mos reagoj kur dëgjoi të tillë që e nënçmojnë diplomën e z. Albin Kurti, kur e dijë se ka qenë absolutisht njëri ndër studentëve më të mirë të cilëve u kam mbajtur mësim, gjatë punës time mbi 45 vjeçare në Universitet.

Albin Kurti është inxhinier i Diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ku e ka mbrojtur punimin e diplomës në Departamentin e Kompjuterikës, në të cilin niveli i studimeve është i krahasueshëm ma ato të universitete evropiane, gjë që dëshmohet edhe me punësimin e të gjithë të diplomuarve, kryesisht jashtë vendit.

Meqë gjatë studimeve, z. Albin Kurti i kam dhënë mësim në tre lëndë, shumë mirë më kujtohen provimet e tij me shkrim, të shkruar me stilograf dhe ngjyrë të zezë, si dhe notat maksimale 10 me të cilat janë vlerësuar, pa pasur qoftë edhe një gabim të vetëm.

Gjithashtu, kam qenë anëtar i komisionit për mbrojtjen e punimit të tij të diplomës, i cili ndërlidhej me një tip të veçantë të memorieve kompjuterike. Materiali i përfshirë në diplomë i ngjante një punimi të vërtetë shkencor. Duke e pasur parasysh përmbajtjen e punimit, përgjigjet në të gjitha pyetjet e shtruara, mbrojtja e diplomës njëzëri është vlerësuar me notën maksimale 10.

Të gjithë atyre që mundohen ta nënçmojnë z. Albin Kurti, për ta krahasuar nivelin e tyre, do të ishte mirë ta ndjekin intervistën e tij në BBC (HARDtalk), duke klikuar në linkun vijues, për të parë se si përgjigjet në pyetjet të cilat kryesisht u përngjajnë atyre të gazetarëve dhe politikanëve serb”. /Telegrafi/