LAJMI I FUNDIT:

A marrim vitamina kur jemi me dietë?

A marrim vitamina kur jemi me dietë?

Ja disa nga shkaqet e mungesës së vitaminave dhe multivitaminave në organizmin e njeriut

Pasi deri në njëfarë kohe e kemi tepruar me ushqimin dhe pesha e trupit është bërë paksa shqetësuese, kur vuajmë sëmundje të ndryshme, apo për të ruajtur një formë të mirë trupore, kërkojmë të mbajmë dietë.

Megjithatë, ndodh që të jemi të painformuar nëse duhet të marrim vitamina në këtë periudhë apo jo. Specialistët dietologë këshillojnë që gjëja e parë që përcaktohet në fillimin e një formule diete është sasia ditore e kalorive që ju do të merrni për të përballuar këtë periudhë. Nga kjo varet dhe se do të duhet të merren vitamina shtesë apo jo.


Shkencëtarët kanë parë një pamjaftueshmëri në vitamina dhe në minerale, kur dieta ka më pak se 1800 kalori. Po kështu, specialistët rekomandojnë se extra vitamina u duhen njerëzve që konsumojnë shumë alkool, duhanpirësve, grave që përdorin kontraceptivë apo dhe shtatzënave. Normalisht, njerëzit që përdorin pijet alkoolike kanë një rënie të thithjes dhe të përdorimit të vitaminës C, B6, B1 dhe të acidit folik.

Nga ana tjetër, dihet se alkoolikët kanë oreks të rënë, po ashtu konsumojnë një dietë shumë të varfër. Por, duhet të theksojmë se marrja e vitaminave nuk i zgjidh problemet e shkaktuara nga pirja e alkoolit, por luan një rol në rehabilitimin e disa proceseve.

Studimet kanë treguar se ata që pinë duhan kanë rënie të sasisë së vitaminës C në gjak, kështu që normalisht sasia e saj që duhet të marrin është 50 për qind më e lartë tek atë që pinë të paktën 20 cigare në ditë në krahasim me ata që nuk pinë fare.

Të moshuarit

Shumë të moshuar kanë një interes të vogël (janë pa pretendime) për atë çka ata hanë. Kjo do të thotë se konsumojnë një dietë të varfër. Disa kushte të tjera: probleme dentare, gjendja financiare, apo disa sëmundje shoqëruese, si dhe rënia e aftësisë thithëse të zorrëve në këtë moshë bëjnë që vitaminat të jenë të rekomandueshme në këtë moshë për të pasur një shëndet të mirë.

Moshat e vjetra kanë një nivel të ulët të vitaminës D, pasi ato eliminojnë nga dieta disa ushqime që e kanë këtë vitaminë si qumështi, veza etj. Po kështu, mundësia që ta prodhojnë vetë vitaminën D në organizëm është e pakët, pasi dihet se rrezet e diellit janë një faktor i rëndësishëm në këtë proces dhe kjo moshë shpenzon shumë pak kohë në diell. Kështu që një shtim i vitaminës D është i nevojshëm për një shëndet të mirë.
Meqenëse vitamina D është toksike në sasi të mëdha 400 UI në ditë nuk duhet kaluar.

Gratë që përdorin kontraceptivë

Duhet pasur parasysh se, sidomos, kur kontraceptivi përmban sasi të larta të estrogjenit, duhet të merren vitamina shtesë. Është provuar se estrogjeni atakon direkt metabolizmin e nutrientëve, veçanërisht të vitaminës B6 dhe të acidit folik. Në qoftë se shtatzënia do të vijë menjëherë pas ndërprerjes së kontraceptivëve, mungesa e acidit folik do të jetë e paevitueshme.

Meqenëse bebi bën disa ndryshime në organizmin e nënës para dhe pas lindjes, gratë me barrë dhe ato lehona kërkojnë rritjen e sasisë së vitaminës A, C, B1, B6, B12 dhe acidit folik. Gjithashtu, ato kërkojnë extra minerale, si kalcium, fosfor, magnez, jod dhe zink. Kërkimet provojnë se veçanërisht acidi folik është i domosdoshëm për fetusin gjatë 30 – 60 ditëve pas konceptimit.

Ai pakëson rrezikun e defekteve të lindjes përfshi spina bifida dhe anencephali. Madje që të parandalohen këto defekte ekspertët rekomandojnë marrjen e nutritientëve të paktën tre muaj përpara konceptimit. Gratë shtatzëna dhe fëmija i tyre janë veçanërisht të rrezikuara në ushqimet vegjetariane (pa mish, vezë, qumësht). Studimet e këtyre vegjetarianëve kanë parë se te dy, nëna dhe fëmija, shpesh vuajnë nga anemia dhe parritja e kockave, si anomalitet i vitaminës B12 që nuk e kanë marrë gjatë shtatzënisë.

Pasojat e mungesës së vitaminave

Mungesa vitaminoze klinikisht jep disa sëmundje specifike. Nëse mungon vitamina C shkaktohet skorbuti dhe kurimi i tij bëhet duke marrë sasira të kësaj vitamine.
Mungesa e vitaminës B1 shkakton sëmundjen e beri-beri-t. Rakiti njihet se vjen nga mungesa e vitaminës D, pellagra nga mungesa e vitaminës B2. Duhet të theksohet se shkak për këto sëmundje bëhet mungesa e vitaminave për një kohë të gjatë.

Zakonisht mungesat e vitaminave vijnë si pasojë e ushqyerjes së varfër dhe me kalori më pak se 1.800, zhbalancimi i ushqimit, sidomos nga dietat strikte vegjetariane, problemet dentare, depresioni e të tjera. Vihen re më shumë te të porsalindurit, adoleshentët në periudhën e rritjes së shpejtë, gratë shtatzëna dhe me ushqim në gji, në moshat mbi 55 vjeç, duhanpirësit, konsumuesit e alkoolit e të tjerë.