LAJMI I FUNDIT:

A duhet përfshirë Del Piero në kombëtaren Italiane?

A duhet përfshirë Del Piero në kombëtaren Italiane?

Alessandro Del Piero është lënë anash sërish nga trajneri Roberto Donadoni për ndeshjen miqësore, të cilën kombëtarja italiane e humbi me rezultat minimal 1-0, javën e kaluar ndaj Spanjës.

Në ndeshjen që Juventus e zhvilloi në fushë të Interit së fundi, Alessandro Del Piero shkëlqeu duke na kujtuar djaloshin i cili dukej se do ta pushtonte botën, derisa pësoi lëndim të tmerrshëm në gju kundër Udineses në tetor të vitit 1998.

Që nga kjo ditë, edhe pse Del Piero edhe më tej pati një karrierë të pasur, megjithatë kurrë nuk mundi të jetë ky lojtar eksploziv. Por, në ndeshjen përballë Interit, 33-vjeçari, na dërgoi po thuajse 10 vite prapa, në kohën kur mposhti Monacon në Ligën e Kampionëve dhe i solli Juventusit edhe një skudeto tjetër.


E vërteta është se muajve të fundit Del Piero ka qenë afër asaj forme të cilën e gëzonte para vitit 1998. Pavarësisht kësaj, duket se sulmuesi bardhezi nuk do të përfshihet në kombëtaren italiane, e cila do të luajë në Euro 2008. Ai nuk është ftuar nga trajneri Donadoni për shtatë muaj, ndeshja e fundit e të cilit ishte ajo kundër Francës në shtator.

Mospërfshirja e tij në miqësoren me Spanjën është tregues i dukshëm, pasi që kjo do të jetë ndeshja e fundit para se Donadoni të emërojë 23 lojtarët të cilët do të udhëtojnë në Austri dhe Zvicër në fillim të qershorit. Shtypi italian beson se vetëm lëndimet, ose ndonjë rënie drastike e formës së ndonjë lojtari, do të mund të çojë në ndryshime në kombëtare, nga ajo e cila u përball me Spanjën.

“Të gjithë besojnë se ai mund të jetë pjesë e ekipit për Euro dhe ai ka të drejtë ta mendojë këtë”, ka thënë së fundit Donadoni, duke dhënë shenja se ai megjithatë mund të përfshihet në skuadër. Por kjo sigurisht është vetëm një bisedë diplomatike. E vërteta është se Donadoni ka vendosur të luajë me formacion fleksibël 4-3-3, që mund të transformohet në 4-5-1, kur Italia do të mbrohet. Del Piero, nuk i përshtatet kësaj skeme.

Luca Toni, pritet të jetë sulmuesi i parë së bashku me Antonio Di Natale në të majtë, dhe Mauro Camoranesin në të djathtë të sulmit. Kur Italia mbrohet, Di Natale ka aftësinë e tërheqjes prapa dhe të marrë pozitën e mesfushorit të majtë, derisa Camoranesi mund ta bëjë të njëjtën gjë në anën tjetër. Pra, përjashtimi i Del Pieros nuk është sepse ai nuk është mjaft i mirë, por është thjesht taktik.

Del Piero, ndoshta është golashënuesi i pestë më i mirë i të gjitha kohërave për vendin e tij, me 25 gola në 85 paraqitje, por kurrë nuk ka qenë protagonist në ngjarje të mëdha. Në Euro 96, Del Piero luajti vetëm pjesën e parë të ndeshjes kundër Rusisë, para se të përjashtohet për pjesën e mbetur të turneut. Gjatë Franca 98’, ai dështoi të shënojë dhe u la nën hijen e Roberto Baggios, derisa në Euro 2000 ai huqi dy raste të mira, gjatë humbjes nga Franca. Në dy turnetë e ardhshme Italia dhe Del Piero që të dy zhgënjyen, derisa në suksesin e Kupës Botërore 2006 në Gjermani, sulmuesi pati rol shumë të pakët, duke u angazhuar si zëvendësues nga stoli.

Si mbrojtje për Del Pieron duhet të theksohet se ai kurrë nuk ka pasur një rast të hapur në ekip. Ai luajti në Franca 98’ ende i lënduar, derisa në turnetë nga viti 2000 deri në 2006-të, të gjithë trajnerët që nga Dino Zoff, Giovanni Trapattoni dhe Marcello Lippi, mendonin se ai nuk do të mund të luante në të njëjtin ekip, së bashku me Tottin.

Derisa Totti është përfundimisht jashtë kësaj skuadre, Del Piero mund të mendojë se tash është momenti që ai të dëshmojë vlerën e tij. Sidoqoftë, në detyrë është një trajner i cili përjashton traditën e gjatë italiane të lojës me numrin 10, duke favorizuar formacionin 4-3-3.

Cili është mendimi juaj, a duhet Del Piero të përfshihet me kombëtaren italiane në Euro 2008?