A do të jenë zgjedhjet ”Left behind” për Kosovën?!

- Për kënd po mbahen zgjedhjet vendore 2009?! -
Nëse bëjnë punë lutjet, në vendin ku amnistohet krimi dhe zhvatja ka imunitet, atëherë le ta bëjmë një lutje të përbashkët: që këto Zgjedhje të jenë ”Left behind” për dukuritë që Kosovën e kanë shndërruar në një tunel pa dalje dhe pa dritë fare! Një lënie mbrapa të logjikës komuniste për vjedhjen e shtetit, një ”divorc” me ata që udhëhoqën në stilin ”Bëj diçka për vete se nuk të njeh kush pastaj!
Fushata për Zgjedhjet vendore 2009 në Kosovë po hyn në periudhën përfundimtare. Ajo ishte sa intensive po aq edhe interesante, jo vetëm në aspektin medial, por edhe atë politik e praktik.
Mëdyshja është se si të mundet dëshpërimi, si të mbyllen sytë e veshët përballë asaj që ka ndodhur vitet e fundit dhe asaj që po ndodhë tash. A është tragjedia në lumin Tisa një shenjë parazgjedhore që reflekton gjithë atë pesimizëm që kjo nomenklaturë politike e ka mbjellë pandalshëm qe sa e sa vite, veçantë pas rishpalljes së Kosovës shtet dhe pranimit ndërkombëtar?!
Si mundet qytetari i Kosovës që provoi gjithë çka ndodhi dhjetë vitet e fundit dhe për të bërë një ”prerje”, të dali ose jo të votojë! A mundet ai, të përpijë edhe zjarrin siç deklaronte shpesh Presidenti Rugova, në mënyrë që Kosova të lë mbrapa (Left behind) periudhën më të përtypur të korrupsionit qeveritar, mungesën e lirisë për të cilën ka sakrifikuar aq shumë, përballjen me mjerimin social, vrasjen e lirisë së mendimit dhe patjetër getoizimin në shtetin me 6 yje?!
A thua zgjedhjet vendore, mund të shndërrohen në ”Left behind”, për t’u hapur një kapitull i ri i zhvillimit të shoqërisë, krijimit të ligjshmërisë dhe shtetit ligjor, të perpsektivës ekonomike dhe nisjen e përmirësimit të mirëqenies sociale?! Për të dhënë një reflektim, po kujtoj lexuesin se logjika aktuale e të udhëhequrit të institucioneve, ka të bëjë me një ”sugjerim makabër” që ma pat bërë një epror gjatë punës në ato institucione. ”Bëj diçka për vete se nesër kush nuk të njeh!”.
Merrni me mend se deri ku kishte arritur njeriu që kërkon votën, premton shumë dhe kur merr karrigen, mendon vetëm për veten e tij. Kjo logjikë e zezë, pati thyer ëndrrën time për Kosovën. Për lirinë e saj, jo sikur kjo e sotmja! Më tepër se kaq, kur nuk pranon të bëhesh pjesë e ingranazhit që ngjason në mekanizmin e rrotave të një tanku, atëherë jo vetëm që bie, por shkelesh pa mëshirë, nga eprori, nga lidhjet e tij me biznesin apo lidhjet tjera parapolitike.
Një moment të punës, një nga biznesmenët që kishte konkurruar për një tender, duke pi kafe ma tha troç: Kemi biseduar ne nja 7 a 8 biznesmenë dhe kemi konkludu se ty duhet me të largu nga puna! Ky ishte një mendim i njerëzve që nuk ma kishin gjetur atë vend pune, por të cilëve nuk mund t’u ndihmoja te tenderët. Atëbotë, ndodhi ajo që ma tha biznesmeni! U detyrova të shkruajë dorëheqjen e cila nuk u pranua, por më nuk kryeja asgjë më shumë se detyrat rutinore, larg nga të gjitha rrjedhat e ”nëntokës biznes politike”!
Divorci me politikën dhe me punën në institucione që e kryeja me aq përkushtim, ndodhi që të më shpëtojë si njeri, si ego, si njeri i letrave dhe si qytetar e idealist i asaj ëndrrës ndryshe! Atë që kujtoj se nuk do ta vënë në binarë normal as këto zgjedhje që po vijnë! Kjo le të lexohet vetëm si një përpjekje për të reflektuar disa nga ”të gjeturat” personale në bazë të përvojës së pjesëmarrjes aktive në të gjitha zgjedhjet pas vitit 1999.
Kësaj radhe duke qenë shikues i cili mëton të shoh aktualitetin kosovar përmes ”syrit të tretë”. Një komoditet që i krijuar për shkak të divorcit të domosdoshëm me atë që mund të ishte gjithçka tjetër, përveç se politikë shtet ndërtuese, apo thënë poetikisht, realizim i asaj ëndrre që brezi im e nisi me lëvizjen e parë antikomuniste në trojet etnike shqiptare.
A është e natyrshme që LDK të divorcojë koalicionin qeverisës?!
Zgjedhjet vendore që po afrohen, reflektuan një ngjarje kruciale, që më 2007, e kisha elaboruar si ”hamletizim i shoqërisë kosovare”. Përfundimisht, po vërtetohet se hija e Hamletit, qe ulur galuc në koalicionin më të panatyrshëm aktual qeveritar.
Deklaratat e Isa Mustafës dhe të zv. Kryeministrit Kuçi, kanë rrëzuar të gjithë zërat se ”koalicioni qeveritar” është stabil dhe nuk rrezikohet. Në qoftë se kjo propagandë nuk po bëhet për rikthimin e anëtarësisë së humbur tashmë edhe të LDK e edhe të PDK, atëherë zgjedhjet nacionale janë të pashmangshme që të mbahen parakohshëm. Kjo për shkak të raportit tejet negativ të BE-së, por edhe të shumë organizatave tjera ndërkombëtare që flasin zëshëm për korrupcionin qeveritar, rrezikimin e skajshëm të lirisë së shprehjes, krimin e organizuar, etj.
Zgjedhjet Nacionale duhet të mbahen, para së gjithash për shkak të gjendjes së rëndë sociale, ekonomike dhe politike dhe territ që po mbretëron në Kosovën e plagosur në liri e me shtetësi. Por a do të jenë këto zgjedhje ”left behind” për shoqërinë e Kosovës?! A do të mundet elektorati kosovar të ”ndëshkojë” gjithë kastën politike që e ka sjellë vendin në këtë gjendje?! Cilët janë engjëjt dhe kush demonët në gjithë 10 vjetëshin e kaluar?!
Një analizë hulumtuese e krejt asaj çka ka ndodhur në Kosovë gjatë 1999-2009, do të rezultonte me një tjetër rrëfim të Dan Brown, i ngjashëm me ”Kodi i Da Vinçit” i cili do vendosej në mjegullën ballkanike për të rrëzuar mitin mbi lirinë, çlirimtarët, patriotët. Ata që në emër të luftës, lirisë, biografisë patriotike, bagazhit politik, etj. e kanë zhvatur Kosovën për dhjetë vjet.
Ndërkaq që shtetësia e pranuar ndërkombëtarisht, në vend të përgjegjësisë dhe kulturës shtetërore, në vend të krijimit të hapësirës për liri, shprehje të lirë, dritë më shumë dhe vende pune e mirëqenie sociale, solli terr 24 orësh, krim të organizuar, korrupsion gjithfarësh, krizë kulturore e morale, ikje masive të shqiptarëve nga vendi dhe mbi të gjitha, solli dëshpërim dhe krijoi mosbesim absolut në ata që sot ulen në qeveri apo parlament.
Tragjedia e Kosovës, ka emër! Pasojnë mbiemra horrash politikë që ende mendojnë se populli është bagëti! Një anketë e realizuar nga gazeta ”Express” online tregon se nga mbi 12.500 respodentë që kanë votuar, vetëm 2% u besojnë premtimeve, kurse 86% nuk u besojnë aspak! Pra, milionat e premtuar duke u nisur nga Kryeministri, as fjalori psikopatologjik i shtabeve zgjedhore i subjekteve të mëdha politike, as edhe fanatizmi partiak, nuk do të ndihmojë që qytetarët të rikthejnë besimin e humbur tek institucionet dhe subjektet politike.
Duke hyrë në koalicion me PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, kujtoj se ka bërë një gabim i cili sot po arsyetohet në emër të interesave të vendit. LDK tregoi kulturën shtetndërtuese, të ndërtuar e zhvilluar tradicionalisht nga Presidenti Rugova, por te anëtarësia kjo u akceptua ”luftë karrigesh”, sish çfarë u pa edhe nga Kuvendi i karrigeve i LDK-së nga e cila u krijua LDD. A mbetet LDK bashkëpjesëmarrëse në të gjeturat tejet negative në Raportin e Komisionit Evropian dhe të organizatave tjera vendore e ndërkombëtare?! Pse gjithë ai dëshpërim i anëtarësisë, pse gjithë ky mosbesim?!
Para së gjithash kujtoj se qytetari nuk është i verbër, kurse LDK duhet të mendojë se si ta kthejë simpatinë, si ta rikthejë anëtarësinë! Duke mbajtur zgjedhje brendapartiake, por zgjedhje dhe jo improvizime, pastaj duke dalë nga koalicioni qeveritar menjëherë pas zgjedhjeve vendore si dhe duke identifikuar liderin i cili do të mund të afrohet sadopak me karizmën e dr. Rugovës dhe filozofinë e tij politike! Në pyetjen ”A mendoni se shtypi në vendin tuaj është i lirë nga presioni qeveritar? “, 69% e pjesëmarrësve mendojnë se jo.
Demokracia e brishtë e Kosovës sfidohet sot aq shumë mu tek liria e shtypit, kurse presioni qeveritar ne media vazhdon të bëhet në mënyrë shumë të sofistikuar! Gjendja kur po zhvillohet një fushatë e ashpërsuar retorike dhe me plot ”babadimra”, karakterizohet me zhvillime që shkojnë përtej parashikimeve edhe në Raportin e Progresit të BE-së. Gjendja e përgjithshme është më e rënduar se sa paraqitet në raportet e shumta të komunitetit ndërkombëtar.
Organizata ndërkombëtare e vendore i kanë drejtuar institucioneve të Kosovës akuza për keq qeverisje dhe korrupsion gjithfarësh. Ata po ashtu kanë konstatuar varfërimin e skajshëm material të qytetarëve të vendit që ikjen e shohin shpëtim edhe kur mund të vdiset sikur në kufirin Hungari-Serbi. Të gjitha këto e bëjnë jetën aq të trishtueshme dhe pa dritë perspektive.
Ajo që provon dyshimin e qytetarëve dhe të organizmave ndërkombëtarë për korruptimin total të institucioneve të vendit, është premtimi i politikanëve, para së gjithash i Kryeministrit të vendit, për investime milionëshe nëpër komuna.
A po mbahen zgjedhjet për të dalë fitues qytetari apo biznespolitika?!
Fushata ka hyrë në fundin e saj dhe kandidatët për kryetarë komunash po udhëheqin fushatë premtimesh miliona dollarë investime. Një dilemë që kujtoj se mbetet është pyetja, a po mbahen Zgjedhjet për të qenë ngadhënjyes dhe përfitues qytetari?! Apo do të vazhdohet me logjikën e ”tender politikave” ?! A mund të jenë zgjedhjet investim i biznesit në politikë, në mënyrë që politika, pastaj, ta kthejë borxhin përmes tenderëve në xhepat e politikëbërësve të pasuruar aq shumë në Kosovën e pas 1999?!
Nga ku do ti marrin qeveritarët dhe politikanët e Kosovës ato mjete materiale që sipas tyre do ti investojnë në komuna, nga 50-300 milion, kjo nuk është thënë ende. Buxheti i Kosovës tashmë dihet edhe për vitet në vijim, donatorët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm që ndihmuan Kosovën deri para pak kohe, nuk janë më. Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar në korrik të këtij viti pati drejtuar kritika të shumta për mënyrën e menaxhimit të parave nga ana e qeverisë kosovare.
FMN ka parashikuar rreziqe fiskale si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga ana e qeverisë së Kosovës në masën 39%. I njëjti dokument i pati bërë thirrje qeverisë Thaçi që të mos bëjë thirrje për rritjen e pagave para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Por jo vetëm kryeministri, por edhe vet ministri i Financave, Ahmet Shala ka deklaruar rritje të pagave në të gjithë sektorët, pavarësisht se në zyrat e ministrisë që drejton ka FMN-në që e kontrollon. Dhe paramendojeni tash sjelljen e papërgjegjshme të një kryeministri a qeverie që mbase edhe mund ta kryejë mandatin, por Kosovën nuk do ta bëjë me rrymë 24 orë.
Ajo që premtimet milionshe të kandidatëve dhe partive politike i zhvlerëson tërësisht është parashikimi i FMN i cili ka paraparë uljen e rritjes ekonomike në Kosovë nga 5.4 % sa ishte në vitin 2008, në 3.4 % për vitin 2009. Fundja, Kosova nuk është një vend ku kriza globale ekonomike e financiare, nuk do mund të ketë pasoja. Fatkeqësia e saj është se papunësia përfshinë më shumë se 50% të qytetarëve.
Në këtë situatë premtimesh, po zbulohen ”babadimra” e besa edhe ”kryetar magjish” nga përrallat! Qytetari i Kosovës, mund të jetë i njoftuar për fushatën e akëcilit kandidat për kryetar komune nëpërmes mediave apo pjesëmarrjes në takimet me këta ”babadimra”. Atëherë, nga do ti marrin milionat, Hashim Thaqi dhe “burrat magjikë” që u premtojnë qytetarëve aq shumë investime?! A thua do të mund të investohen aq para sa premtohen gjatë fushatës?! A thua çfarë do ndodhë me premtimet akëcilës parti, nëse kandidati i tyre nuk fiton zgjedhjet?!”
A thua do të mund të dështojnë investimet ngaqë tenderët do të mbesin pa u dhënë nga aty ku mund të vilej 20%?! Çfarë do të bëhet me investimet e premtuara?! Si do t’u kthehet borxhi donatorëve që derdhin qindra mija e miliona euro gjatë fushatës?! A thua qytetari, votuesi 2009, do tu besojë verbërisht premtimeve milionëshe të njerëzve që vetëm kanë ndërruar karriget dhe statusin material gjatë 10 vjetëve të kaluara?!
Qytetari i vendit, zgjedhësit, nuk e e kanë idenë se si dhe sa ashpërsohet fushata në rrethin e biznesmenëve që kanë investuar shuma marramendëse në partitë politike. Dhe biznes patriotë të tillë ka plotë Kosova. Mund të bëheshin martesa marramendëse në mes të kandidatëve për kryetarë komunash si dhe disa biznesmenëve që janë hija e fushatës. Rëndom ky lloj bashkëpunimi i mirë i biznesit me politikën, ka ndodhur gjatë gjithë dhjetë viteve të fundit!
Nuk ka asnjë institucion në Republikën e 17 shkurtit, i cili nuk ka lidhje të tilla bashkëpunimi me kompani apo udhëheqës firmash private. Nuk ka pasur në dhjetë e fundit që të mos kenë ekzistuar ”lidhje” të tilla me kompanitë! Ato që kanë përfituar gjithnjë tenderë, pas ardhjes në pushtet të kandidatit të tyre, pa marrë parasysh në çfarë posti udhëheqës, lokal apo qendror.
Paramendoni sa qindra mija euro shpenzohen brenda ditës vetëm në propagandë politike, paramendoni sa posterë e sa fletëpalosje shkrihen gjatë fushatës. Sa mija euro kushtojnë klipet, reklamat televizive dhe promocionet tashmë edhe në internet! Shikojeni gjendjen e mjerueshme sociale të qytetarit; arsimtarit, pensionistit, punëtorit. Paramendoni po të investoheshin këto para në fabrika apo vende pune! Prandaj dilema për jo ose pjesëmarrje në zgjedhje! A thua për kënd po mbahen zgjedhjet, kush do të përfitojë nga votimet, qytetari apo biznesi, parapolitika apo shteti, individi apo shoqëria?!
Nëse bëjnë punë lutjet, në vendin ku amnistohet krimi dhe zhvatja ka imunitet, atëherë le ta bëjmë një lutje të përbashkët: Që këto Zgjedhje të jenë ”Left behind” për dukuritë që Kosovën e kanë shndërruar në një tunel pa dalje dhe pa dritë fare! Një lënie mbrapa të logjikës komuniste për vjedhjen e shtetit, një ”divorc” me ata që udhëhoqën në stilin ”Bëj diçka për vete se nuk të njeh kush pastaj!







































