LAJMI I FUNDIT:

700 mijë euro investime në plantacionin e arrave

700 mijë euro investime në plantacionin e arrave

Biznesmeni Fatos Xhafolli pas shumë vitesh punë në Gjermani ka vendosur që një pjesë të kapitalit të tij ta investojë në Kosovë. Mirëpo, ai thotë se deri më tash ka pak përkrahje në këtë drejtim.

Xhafolli ka dy dekada që jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, ku në këtë qytet ai ka në pronësi tre restorante, në të cilat ka të punësuar 65 punëtorë.


“Dëshira për atdheun më solli këtu për të investuar në ngritjen e një plantacioni të arrave në rajonin e Gjilanit. Por, deri më tash unë s’kam pasur ndonjë përkrahje institucionale në punën që kam nisur. Tokën e kam blerë prej qytetarëve privatë. Në procesin e privatizimit ka pasur tokë në shitje, por nuk kam dashur të hyj për shkak të problemeve të shumta me të cilat janë ballafaquar blerësit tjerë, ngase ato prona ishin duke u punuar nga persona të ndryshëm. Aksioni i fundit i Policisë për lirimin e objekteve të uzurpuara është për t’u përshëndetur”, ka thënë për gazetën “Zëri”

Po ashtu, biznesmeni Xhafolli thotë se edhe investimet në ngritjen e plantacionit po duhet t’i bëjë të gjitha vetë. “Në kemi kërkuar përkrahje institucionale nga Ministria e Bujqësisë, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje”, theksoi ai.

Biznesmeni, që ushtron biznesin në Gjermani, thotë se çdo vit në Kosovë ka përmirësim të klimës për biznes, por, sipas tij, në këtë drejtim edhe shumë punë duhet për t’u bërë. “Nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar ka ndryshime të dukshme. Por, nëse krahasohemi me një shtet tjetër, ne jemi shumë mbrapa”, shtoi ai. /Zëri/Telegrafi/