LAJMI I FUNDIT:

23 vjet nga Masakra e Belegut: Varre pa epitafe

23 vjet nga Masakra e Belegut: Varre pa epitafe

Lëndina në mes të fshatit mbetet e zbrazët. Është vendi ku prej forcave serbe mblidhen e ekzekutohen 46 civilë shqiptarë – jo vetëm banorë të Belegut, por edhe të fshatrave përreth që lufta i kishte degdisur atë ditë marsi.

Buzë rrugës, si heroinë shtrihet përmendorja e martirëve. Të skalitur diku-diku qëndrojnë emrat e të rënëve, ndonëse shumica janë ende të pagjetur.


Varret e pakta, me eshtra brenda, sikur bëjnë thirrje për shokët e rënë? Sikur thërrasin se ku janë? Varre që presin një grusht eshtrash, tash e 23 vjet … Nëna, motra e fëmijë që presin me ankth për një lajm për më të dashurit e tyre, për një vend për t’i ‘takuar’.

Deri kur?

Sa herë vjen pranvera, sa herë vjen marsi, më rifreskohen pamjet e Masakrës së Belegut. Në mendjen time kthehen, si në ekran, pamjet e asaj ngjarje të tmerrshme e çnjerëzore. Është kujtesa e një fëmije nëntëvjeçar që u ballafaqua me vdekjen.

Nuk guxoj ta harroj 29 marsin e vitit 1999, sidomos agun e asaj ditë nisi tmerri. Me qindra forca policore, ushtarake e njësi paramilitare serbe zbarkuan në Beleg. I tërë fshati ishte pushtuar. Njësitet paramilitare hynin shtëpi për shtëpi – duke djegur, torturuar e vrarë civilë shqiptarë. Muzgun e saj natë marsi e shndriste vetëm flaka e shtëpive të djegura. Në mes të fshatit u grumbulluan të gjithë banorët e Belegut e të fshatrave tjera që ishin aty. Burra, gra e fëmijë të gjunjëzuar, me tyta automatikësh mbi krye, po e prisnin ekzekutimin.

Në mëngjesin e 30 marsit 1999, forcat serbe – duke i rrahur e keqtrajtuar – i kishin depërtuar, me forcë drejt Shqipërisë, gratë, fëmijët e pleqtë, ndërsa burrat dhe disa të rinj – ende pa mbushur të tetëmbëdhjetat – i ndalën për t’i pushkatuar.

Edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme, shumica dërmuese e të rënëve në masakër mbesin të zhdukur. Ndonëse dihen emrat e krimineleve që vranë e masakruan banorët e fshatit Beleg, ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga autoritetet serbe apo ato ndërkombëtare për dënimin e autorëve të këtij krimi.

Sipas dëshmive të shumta, dhënë nga dëshmitarët edhe Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, në masakrën e Belegut kanë marrë pjesë policia, ushtria e rregullt dhe paramilitarët serbë. Ata që e mbijetuan këtë masakër, në dëshmitë e tyre dhënë Tribunalit të Hagës, ICG-së, KMDLNJ-së etj., kanë thënë emrat e ekzekutorëve, si: Vukmir (Mitar) Mirçiq, kryeshef i MUP-it të Deçanit; Zoran (Millorad) Nikiq (1957) nga Dashninoci, komandant i stacionit policor të MUP-it në Deçan; Zoran (Momçilo) Gjurishiq (1966) nga Prapaqani, më herët polic komunikacioni në Deçan; Danillo (Momqillo) Gjurishiq (1965) nga Prapaqani; Sllavko Llaban nga Prapaqani;Daniell Stomatoviç, elektricist nga Prejlepi; Dejani që ka punuar te pasaportat; Jova Zeçeviq, Ratka Zeçeviq e Lubo (Jovan) Zeçeviq (1961) nga Drenoci (më herët shofer në shtëpinë e shëndetit në Deçan); polici Pero (Jovan) Zeçeviq (1967) nga Drenoci; Dushan Zeçoviq, Dragan Siniq e Dushan Knezheviq, kriminel lufte në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci; djemtë e Mushk Jakupit – Muharrem e Isuf Ibraj nga fshati Osek Hylë i Gjakovës etj.[1]

Polici Zoran Gjurishiq, në hyrje të shtëpisë së Naim Vishajt në Beleg, e kishte vrarë nga afërsia mësuesin Daut (Murat) Aliçkaj (1949). Pak më tutje e kishin ekzekutuar edhe Naim Vishajn dhe Nezir Vishajn.[2] 46 burra – në mesin e tyre adoleshentët si Faton Vishaj e Hasan Mazrekaj – u ekzekutuan më pas.

Kosova, si palë negociuese me Serbinë, në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjë kompromis me fatin e të zhdukurve. Si i mbijetuar i masakrës dhe si familjar i të rënëve, nuk do të mbesim të qetë përderisa në Serbi janë eshtrat e mbi 1600 personave në nivel Kosove (nga masakra e Belegut, vetëm 12 nga 46 të ekzekutuarit janë identifikuar).

Krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë, pavarësisht distancës kohore.

Personalisht e ndjej për obligim moral e kombëtar të punojë pareshtur në ndriçimin e rastit të secilit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Varret pa epitafe tash e 23 vjet i kemi të zbrazëta.

__________

[1] Fetnete Ramosaj, Krimet serbe në Kosovë: pa apologji 2 me fakte kundër shpifjeve, Anatema, Prishtinë, 2008, faqe 200.

[2] Po aty.

Dy dekada nga Masakra e Belegut
Lexo po ashtu Dy dekada nga Masakra e Belegut

Të rënët në Masakrën e Belegut:

Shaqë (Curr) BINAKAJ
Hysni (Curr) BINAKAJ
Nezir (Ibish)VISHAJ
Naim (Daut) VISHAJ
Daut (Murat) ALIÇKAJ
Gëzim (Selmon) VISHAJ
Jetmir (Arif) MAZREKAJ
Qazim (Osë) HULAJ
Sadri (Adem) ZUKAJ
Shefqet (Curr) BELEGU
Shaban (Haxhi) KADRIAJ
Ali (Haxhi) KADRIAJ

Të rënët, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur

Zymer (Miftar) BINAKAJ
Brahim (Adem) ZUKAJ)
Hamid (Dervish) ZUKAJ
Rexhep (Lum) NEZIRAJ
Faton (Hasan) VISHAJ
Fatmir (Halil) VISHAJ
Ramë (Shaban) KILAJ
Sadri (Hajdar) VISHAJ
Mujë (Isuf) VISHAJ
Malë (Isuf) VISHAJ
Zenel (Ukë) VISHAJ
Hazir (Himë) ZUKAJ
Shaban (Ramë) NITAJ
Nekë (Halil) BINAKAJ
Hajdar (Hamëz) MAZREKAJ
Ali (Avdyl) MAZREKAJ
Bashkim (Lush) HADERGJONAJ
Afrim (Lush) HADERGJONAJ
Xhevdet (Bajram) HADERGJONAJ
Muhamet (Bajram) HADERGJONAJ
Mehmet (Halil) TOLAJ
Xhevat (Ukë) TOLAJ
Misin (Hajdin) TOLAJ
Arif (Haxhi) MAZREKAJ
Isa (Tahir) TOLAJ
Sahit (Bekë) MAZREKAJ
Hasan (Sahit) MAZREKAJ
Sundim (Sahit) MAZREKAJ
Naim (Hysen) TOLAJ
Ragip (Osmon) MORINA
Beqir (Idriz) DERVISHAJ
Tafë (Bekë) DINAJ
Smajl (Ramë) UKËHAXHAJ
Haxhi (Shaban) KADRIAJ