LAJMI I FUNDIT:

“Do të fitojmë me golin e Roshit”

“Do të fitojmë me golin e Roshit”

Futbolli është shpesh një ndërthurje e padrejtë mes fatit dhe meritave sportive. Kur kujton që ai i shënoi një skuadre spanjolle dy javë më parë në një nivel si “Evropa Ligë”, patjetër që mendon se është i duhuri për të qenë në majën e sulmit përballë Spanjës në “Loro Boriçi”.

Megjithatë, dy gola radhazi të Bekim Balajt me Kombëtaren, pa harruar formën e mirë që ka kaluar në Rusi me Terekun, të bën të mendosh gjithashtu që është mëkat se si shkodrani dhe sulmuesi nga Elbasani nuk formojnë edhe një herë dyshen e sulmit kuqezi të ekipeve të moshave të dikurshme.


Pasi mungoi në stadiumin ku u bë idhull për gjashtë muaj dhe shpëtimtar i skuadrës vendëse, Armando Sadiku në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon emocionet e tij nga shtrati i spitalit, kur shihte që shokët e Kombëtares ia dolën të merrnin tri pikë në Lihtenshtejn.

Sipas sulmuesit kuqezi, këtë herë do të jetë Roshi që do të vendosë gjithçka në këtë takim dhe Shqipëria të dalë me triumf nga ky 90-minutësh.

Sadiku rrëfen operacionin në gju, periudhën e rikuperimit për të cilën ka nevojë dhe afatin kohor në të cilin ai kërkon të jetë i gatshëm. “Fazën e dytë të rikuperimit të plotë, që do të më kthejë në fushë me 100% të mundësive të mia, do ta kryej në Torino.

Kam biseduar me të dhe do të punoj në qendrën mjekësore të Juventusit në Torino”, tregon ndër të tjera bomberi kuqezi në një intervistë për “Panorama Sport”.

“Do të doja shumë që të isha në ndeshjen kundër Spanjës, por ky ishte fati im. Do të bëja çfarëdolloj gjëje që të mund të isha gati për Spanjën… Megjithatë nuk dorëzohem sepse ndeshje të tjera të rëndësishme na presin në të ardhmen. Ndeshjen do ta shoh me shumë emocione dhe shpresoj që shokët do të dalin fitimtarë”.

“Fitojmë në këtë ndeshje me rezultat minimal 1-0 dhe do të shënoi gol Odise Roshi”, deklaroi Sadiku.