Rinoplastika është ndër ndërhyrjet më të kërkuara estetike, por në disa raste pacientët mund të vazhdojnë të kenë vështirësi në frymëmarrje edhe pas operimit të hundës. Kjo ndodh sepse hunda nuk është vetëm pjesë estetike e fytyrës, por edhe organ me funksion shumë të rëndësishëm në frymëmarrje.

Për këtë temë ka folur kirurgja plastike Liridona Guci, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.


E pyetur se pse disa pacientë vazhdojnë të kenë probleme me frymëmarrje edhe pas rinoplastikës, Guci tha se arsyet mund të jenë të ndryshme.



“Arsyet janë nga më të ndryshmet. Në fillim, edhe më pas, mund të jenë edema apo ënjtje që janë rezultat i ndërhyrjes”, shpjegoi ajo.

Sipas saj, vështirësitë në frymëmarrje mund të lidhen edhe me mënyrën se si është realizuar ndërhyrja dhe me strukturat që preken gjatë operimit të hundës.

“Kur operojmë hundën, operojmë ashtin e hundës, operojmë kërcin, gjithashtu septumin apo ndarësin që luan një rol shumë të rëndësishëm në frymëmarrje”, tha Guci.

Ajo theksoi se largimi i tepërt i kërcit gjatë ndërhyrjes mund të shkaktojë probleme funksionale, përfshirë vështirësi në frymëmarrje.

“Largimi i tepërt i kërcit mund të na çojë në probleme apo vështirësi me frymëmarrje”, u shpreh kirurgja plastike.

Guci përmendi edhe strukturat e tjera të hundës që mund të ndikojnë në frymëmarrje, si konkat e hundës dhe valvula nazale.

“Pastaj konkat e hundës, sidomos ajo inferiorja, edhe valvula e hundës”, tha ajo, duke i renditur si faktorë që mund të ndikojnë në rezultatin funksional pas rinoplastikës.

Duke folur për vetë natyrën e kësaj ndërhyrjeje, Guci tha se rinoplastika është një nga operacionet më komplekse në kirurgjinë estetike.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com