Kirurgjia plastike shpesh lidhet vetëm me pamjen e jashtme, por në realitet ajo është një fushë shumë më e gjerë, që përfshin edhe rikonstruksionin, trajtimin e problemeve funksionale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit.

Për këtë temë ka folur Liridona Guci, kirurge plastike, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit "Kubati".


Në këtë episod u diskutua për rinoplastikën, liposuksionin, abdominoplastikën, ndërhyrjet në gjoks, implantet, blefaroplastikën, transferimin e dhjamit dhe rëndësinë e konsultës profesionale para çdo ndërhyrjeje.

- YouTube www.youtube.com

Në fillim të bisedës, Guci u ndal te një nga ndërhyrjet më të kërkuara estetike: rinoplastika.

Ajo shpjegoi se disa pacientë mund të vazhdojnë të kenë vështirësi në frymëmarrje edhe pas operimit të hundës, për shkak të faktorëve të ndryshëm që lidhen me strukturat e hundës.

Sipas saj, hunda nuk është vetëm organ estetik, por edhe funksional, ndërsa gjatë ndërhyrjes preken struktura të rëndësishme si ashti, kërci, septumi dhe valvula e hundës.

Në podcast u diskutua edhe për liposuksionin dhe problemet që mund të shfaqen pas tij, si gungat apo pabarazia në lëkurë.

Guci shpjegoi se këto mund të ndodhin për arsye të ndryshme, ndër to edhe marrja e yndyrës në mënyrë jo proporcionale nga zona ku është bërë ndërhyrja.

Një nga mesazhet kryesore të saj ishte se ndërhyrjet estetike duhet të kryhen nga profesionistët e duhur.

Ajo tha se në Kosovë ndodh që procedura si abdominoplastika, liposuksioni apo ndërhyrjet në gjoks të kryhen edhe nga mjekë që nuk janë kirurgë plastikë.

“Jo kirurgët plastikë po bëjnë abdominoplasti, liposuksion, zvogëlim-zmadhim të gjoksave dhe ndërhyrje estetike të cilat ekskluzivisht i përkasin kirurgëve plastikë”, tha ajo.

Duke folur për këtë çështje, Guci bëri një krahasim profesional, duke thënë se edhe pse ajo është kirurge, nuk i kryen ndërhyrjet që nuk i përkasin specializimit të saj.

“Unë jam kirurge, por nuk operoj as gurë në idhëz, madje as apendicit”, tha ajo, duke theksuar se askush nuk mund të jetë i saktë në një domen që nuk është i tij.

Në podcast u fol edhe për abdominoplastikën, një ndërhyrje që shpesh kërkohet për formësimin e barkut.

Guci shpjegoi se barku mund të duket i fryrë edhe pas ndërhyrjes për arsye të ndryshme, si ëntja, grumbullimi i yndyrës, hematomat, seromat apo infeksionet.

Ajo tha se në shumë raste abdominoplastika kombinohet me liposuksion për të arritur jo vetëm largimin e lëkurës së tepërt, por edhe konturimin e barkut.

“Përpos që hiqet lëkura e tepërt, me liposuksion bëjmë edhe konturimin apo formësimin e atij regjioni”, shpjegoi ajo.

Sa i përket rikuperimit, Dr. Guci tha se pacienti zakonisht ngrihet që të nesërmen dhe mund të kthehet në jetën normale pas rreth dy javësh, por jo edhe në sforcime fizike apo aktivitete intensive.

“Kthimi në jetën normale bëhet pas dy javësh, por jo edhe sforcimeve fizike”, tha ajo, duke shtuar se aktivitetet si fitnesi kërkojnë një periudhë më të gjatë, prej tre deri në gjashtë muaj pas ndërhyrjes.

Në pjesën e fytyrës, Guci foli për blefaroplastikën, ndërhyrjen në qepalla, duke sqaruar se ajo nuk e ndal procesin e plakjes, por mund të ndihmojë edhe në aspektin funksional.

“Blefaroplastika nuk është një ndërhyrje që e sfidon plakjen ose forcën e gravitetit”, tha ajo.

Sipas saj, rënia e qepallave nuk është gjithmonë vetëm problem estetik, sepse mund të shkaktojë lodhje të syve dhe të bëjë që pacientët të mendojnë gabimisht se kanë problem me dioptri.

“Lëkura e lëshuar bën një rëndesë në qepallat e syve”, shpjegoi ajo, duke shtuar se ndërhyrja bëhet për të hequr lëkurën dhe yndyrën e tepërt, jo për ta zhdukur plakjen.

Një temë tjetër e trajtuar ishte mjekra e dyfishtë.

Guci tha se në disa raste ajo mund të korrigjohet pa operacion, përmes injektimeve, por kjo varet nga shkalla e problemit. Kur ka lëkurë të tepërt apo varje të madhe, sipas saj, ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e domosdoshme për rezultat më të mirë.

Në podcast u diskutua edhe për transferimin e dhjamit nga barku në pjesë të tjera të trupit, një ndërhyrje që Dr. Guci e cilësoi si një nga procedurat më trendi të kohës. Ajo shpjegoi se yndyra merret përmes liposuksionit dhe vendoset në zona të tjera, por qëndrueshmëria e rezultatit varet nga organizmi i pacientit, teknika dhe mënyra e vendosjes.

“Guci theksoi se kirurgjia plastike nuk duhet parë vetëm si ndryshim i pamjes, por si një fushë që mund të ndihmojë edhe në vetëbesim dhe mirëqenie. Megjithatë, sipas saj, ndërhyrjet duhet të bëhen me masë, pa e ndryshuar identitetin e personit dhe vetëm pas konsultës profesionale.

Ajo rikujtoi se kirurgjia plastike nuk kufizohet vetëm në estetikë, pasi një pjesë shumë e rëndësishme e saj është edhe rikonstruksioni, përfshirë trajtimin e djegieve të mëdha dhe transplantet e lëkurës.

“Kirurgjia plastike nuk kufizohet vetëm me ndërhyrjet estetike”, tha Guci.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com