Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përshkoi më shumë se 100 mijë kilometra gjatë Kupës së Botës 2026, duke udhëtuar vazhdimisht mes qyteteve organizatore për të ndjekur nga afër ndeshjet e turneut.

Sipas të dhënave të publikuara nga një platformë që monitoron lëvizjet dhe emetimet e karbonit gjatë Botërorit, Infantino udhëtoi mbi 100.000 kilometra me një avion privat të vënë në dispozicion nga Qatar Airways, një prej sponsorëve zyrtarë të FIFA-s.


Në total, kreu i futbollit botëror kaloi rreth 142 orë në ajër, duke fluturuar pothuajse çdo ditë nga një qytet në tjetrin.

Qëllimi i tij ishte të ishte i pranishëm në sa më shumë ndeshje të mundshme.

Sipas burimeve të FIFA-s, Infantino bëri përpjekje të vazhdueshme për të ndjekur dy ndeshje në ditë, pavarësisht distancave të mëdha mes stadiumeve në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Megjithatë, jo gjithmonë ishte e mundur të ishte fizikisht në stadium. Për shkak të orareve të fluturimeve dhe distancave mes vendeve pritëse, disa ndeshje ai nuk mundi t'i ndiqte nga tribunat.

Në këto raste, presidenti i FIFA-s i shikonte ndeshjet në transmetim televiziv, qoftë nga automjeti i tij zyrtar me shofer, gjatë udhëtimeve rrugore, apo edhe nga avioni privat gjatë fluturimeve.

Udhëtimet e shumta të Infantinos kanë tërhequr vëmendje edhe për ndikimin e tyre në mjedis, pasi përdorimi i avionëve privatë gjatë aktiviteteve ndërkombëtare vazhdon të jetë një temë e debatueshme, sidomos në evente të përmasave të Kupës së Botës./Telegrafi/

telegrafi sport app