"Financial Times": Shqipëria, kryeqyteti i kanabisit i Evropës


Gjithçka po ndodh në Lazarat të Shqipërisë, nga ku Associated Press sjell një raportim rrënqethës. Policia ka ndërhyrë në atë që është bërë kryeqyteti i kanabisit i Europës. Pabesueshmërisht, AP përllogarit se fitimet nga kanabisi në këtë zonë shkojnë deri në 6 miliardë dollarë në vit, diçka më pak se gjysma e PBB-së së Shqipërisë.
Por koha e operacionit ka më shumë rëndësi. Të martën, Shqipëria do të mësojë nëse do pranohet për statusin e kandidatit për t’u bërë anëtare e BE.
Testi i Lazaratit është një shenjë e qëllimit të Shqipërisë për të ndërhyrë në një fushë ku duhet më shumë progres: llogaridhënia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit. Është e vështirë të besosh se forcat e sigurisë në Shqipëri sapo u zgjuan për të kuptuar atë që ndodh në Lazarat- çështja kryesore është se një plantacion i kësaj shkalle epike duhet të jetë mbrojtur nga lart. Shqipëria do të tregojë se është e gatshme të dalë mbi interesat vetjake.
Por të shohim nëse kjo do u bëjë përshtypje qeverive të BE. Tendenca është që Shqipëria të marrë një “po” javën tjetër nga ministrat e BE. Ish- vendet skeptike si Britania, Gjermania dhe Holanda ka të ngjarë që të bashkohen me Italinë dhe Greqinë për të mbështetur Shqipërinë, edhe pse euroskeptikët kanë nxjerrë dhëmbët duke bërë thirrje për të ndaluar zgjerimin e mëtejshëm të BE.
Megjithatë ka ende pengesa. Ka zëra që Praga- e cila normalisht e mbështet zgjerimin- të kundërshtojë për shkak të një konflikti me Tiranën për kompaninë çeke CEZ. Franca shihet edhe si një kundërshtues potencial.
Por diplomatët e BE insistojnë se logjika e thellimit të integrimit ka gjasa që të fitojë të martën gjatë takimit të minsitrave në Luksemburg. Do të jetë më e lehtë që të fitohen betejat me bandat kriminale, korrupsionin në gjyqësor dhe mosmarrëveshjet tregtare si në rastin e CEZ, nëse Shqipëria po punon për anëtarësimin në BE, argumentojnë ata. Duke hequr këtë aspiratë, kjo mund të jetë kundërproduktive në një vend në nevojë themelore për institucionet më bazike.
Siç tha edhe një polic për sfidën e luftës ndaj bandave të kanabisit: “Ata i kanë të gjitha armët e pajisjet që kemi edhe ne”./TEMA/





































