Zyrtare: Prishtina ndan rrugët me trajnerin Alban Dragusha

Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Alban Dragusha pas përfundimit të sezonit, duke e falënderuar për kontributin e dhënë në krye të skuadrës.
Prishtina ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se ndarja ka ardhur me marrëveshje të dyanshme ndërmjet palëve.
Dragusha mori drejtimin e skuadrës në fazën e fundit të kampionatit, duke udhëhequr bardhekaltrit në 11 ndeshje. Gjatë kësaj periudhe ai ishte i angazhuar në përmbushjen e objektivave të klubit, duke dhënë kontributin e tij profesional në krye të ekipit.
Në njoftimin e publikuar, Prishtina ka vlerësuar punën e trajnerit gjatë periudhës së kaluar në klub, teksa e ka falënderuar trajnerin për angazhimin e treguar dhe i ka uruar suksese në të ardhmen.
“FC Prishtina njofton se me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me trajnerin Alban Dragusha”, thuhet fillimisht në reagimin e klubit.
“Dragusha udhëhoqi ekipin tonë në 11 ndeshje gjatë fazës së fundit të kampionatit, duke dhënë kontributin e tij profesional dhe përkushtimin maksimal për klubin”.
“Klubi e falënderon trajnerin Alban Dragusha për punën dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij”, përfundon njoftimi i klubit. /Telegrafi/


































