Zyrtare: Orges Shehi, trajner i ri i Prishtinës

Prishtina ka zyrtarizuar të premten emërimin e Orges Shehit në postin e trajnerit të ekipit të parë.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi kryeqytetas përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku është konfirmuar ardhja e teknikut shqiptar në stolin bardhekaltër.
Shehi do ta zëvendësojë Alban Dragushën, i cili ndërpreu bashkëpunimin me Prishtinën me marrëveshje të dyanshme pas përfundimit të sezonit.
Trajneri 48-vjeçar vjen në Kosovë pas aventurës së tij të fundit te Tirana, skuadër të cilën e drejtoi për rreth pesë muaj.
Ai nuk është i panjohur për futbollin kosovar, pasi më parë ka qenë trajner i Ballkanit, ku qëndroi nga dhjetori i vitit 2024 deri në nëntor të vitit 2025.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Shehi ka drejtuar gjithashtu disa prej klubeve më të njohura në Shqipëri, përfshirë Kukësin, Skënderbeun dhe Partizanin e Tiranës, duke krijuar një profil të konsoliduar në futbollin shqiptar.
Me emërimin e Shehit, Prishtina synon të nisë një kapitull të ri dhe të rikthehet në garën për trofetë në futbollin kosovar, duke besuar se përvoja e trajnerit shqiptar do t’i ndihmojë bardhekaltërit në realizimin e objektivave të sezonit të ardhshëm./Telegrafi/


































