LAJMI I FUNDIT:

Zyrtare: Mehmeti, trajner i ri i Drenicës

Zyrtare: Mehmeti, trajner i ri i Drenicës

KF Drenica do të drejtohet nga trajneri Mehmet Mehmeti, i cili sot (e martë) pritet ta zë vendin e trajnerit të dorëhequr Afrim Jashari. Ky i fundit ka marrë shumë kërkesa për rikthim në krye të skuadrës kuqezi, por kjo ka qenë e kotë dhe ka vendosur t’u mbetet besnik fjalëve të dhëna për largim nga posti i trajnerit në KF Drenica.

Mehmet Mehmeti është trajner i ri i skuadrës së Drenicës nga Skenderaj. Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” kryetari i skuadrës kuqezi, Ilaz Halili. Mehmeti do ta zëvendësojë Afrim Jasharin, i cili dha dorëheqje pas humbjes së parë në krye të Drenicës të shtunën ndaj Ferronikelit (0-1).

“Mehmeti do ta drejtojë skuadrën në pjesën e mbetur të këtij kampionati. Ai do ta fillojë punën sot (e martë)”, ka thënë Ilaz Halili, duke konfirmuar se Afrim Jashari nuk ka dashur të rikthehet në asnjë mënyrë në pozitën e trajnerit. “Kam pasur një bisedë disaorëshe me Afrimin, por ai është i vendosur të mos rikthehet në postin e trajnerit. Të gjithë në klub kemi kërkuar që ai ta vazhdojë punën, pasi dihet se çfarë rezultate arriti Drenica nën drejtimin e tij. Por kjo gjë është refuzuar nga Afrim Jashari”, ka shtuar ai.


Skuadra e Drenicës, nën drejtimin e Afrim Jasharit, nuk dinte për humbje në katërmbëdhjetë xhiro, kurse në xhiron e pesëmbëdhjetë të kampionatit pësoi disfatë nga Ferronikeli në stadiumin “Bajram Aliu”.

Jashari e mban fjalën për dorëheqje

Gazeta e ka kontaktuar edhe trajnerin Afrim Jashari. Ky i fundit ka thënë se ka pasur kërkesa të mëdha për ta vazhduar punën në krye të skuadrës nga Skenderaj, por nuk do ta bëjë një gjë të tillë. “Falënderoj të gjithë atë që më kanë përkrahur gjatë kohës sa isha trajner i Drenicës. Pa dashur ta nënçmoj kundërshtarin, nuk është dashur ta humbim ndeshjen ndaj Ferronikelit, prandaj rikthimi im është i pamundshëm. Kam pasur kërkesa të shumta, sidomos nga kryetari i klubit, por jam i vendosur të mos e drejtoj Drenicën. Kjo skuadër vazhdon të mbetet në zëmrën time dhe i uroj shumë suksese në të ardhmen”, ka thënë Jashari. /Epokaere/Telegrafi/