"Zhegrova dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi" - Fabrizio Romano tregon detajet e fundit

Gjatë ditës së hënë u raportua se Edon Zhegrova po kërkohet nga Besiktasi, ndërsa interesimi i klubit turk ka vazhduar të përmendet edhe sot në mediat sportive.
Në Itali, ndërkohë, situata e anësorit të Juventusit po shihet me vëmendje, pasi minutat e pakta që ka marrë këtë sezon kanë shtyrë klubin ta rishqyrtojë të ardhmen e tij.
Reprezentuesi i Kosovës u transferua nga Lille, një marrëveshje që besohet të arrijë deri në 18.5 milionë euro në total (14.3 milionë euro tarifë bazë, 1.2 milionë euro kosto shtesë dhe 3 milionë euro bonuse).

Shifrat e sezonit të tij të parë te Juventusi janë të dobëta: zero gola, zero asistime dhe vetëm 447 minuta të luajtura në 21 paraqitje në të gjitha garat.
Lëndimet kanë ndikuar në ecurinë e tij, por edhe fakti se nuk ka arritur ta bindë trajnerin Luciano Spalletti. Tekniku italian i ka dhënë Zhegrovës vetëm tri paraqitje në 11 ndeshjet e fundit, me gjithsej 65 minuta në fushë.
Megjithatë, Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim për të ardhmen e tij, duke theksuar se lojtari dëshiron të vazhdojë në Torino.
“Pavarësisht thashethemeve që e lidhin Edon Zhegrovën me Beşiktaşin, lojtari dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i krahut u ka kërkuar shprehimisht agjentëve të tij të presin, pasi prioriteti i tij është të jetë pjesë e së ardhmes së Bianconerëve. Por, në fund vendos klubi dhe nuk përjashtohet mundësia që Zhegrova të largohet nga Juventusi në verë”, ka deklaruar Romano.
‼️Despite rumors about Besiktas, Zhegrova wants to stay at Juventus. He has asked his agents to wait: he wants to fight for a place in the squad in the future as well. The final decision will be up to the club at the end of the season.@FabrizioRomano via: @Juventus_Reborn pic.twitter.com/F8EQ0x3hMN
— Bianconeri Zone (@BianconeriZone) April 14, 2026
Zhegrova ka kontratë me “Bianconerët” deri në qershor të vitit 2030. /Telegrafi/






















































