LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë

Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë

Proceset zgjedhore kanë filluar të evoluojnë nga çështje të brendshme social-politike dhe ekonomike, në një forcë kryesore në formimin e politikës dhe gjeopolitikës. Zgjedhjet në ShBA, nga viti 2016 e deri më sot, pastaj në Gjermani, në Itali dhe në vende të tjera të Evropës tregojnë se ndryshimet ideologjike të partive nuk janë duke u paraqitur vetëm si ndryshime të brendshme në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, por edhe në atë të jashtëm gjeopolitik. Por, këto ndryshime po godasin më së shumti vendet e treta. Regjimet autokratike, si Rusia dhe Serbia, e kanë njohur potencialin e proceseve zgjedhore nëpërmjet luftës hibride, si armë për të ushtruar ndikim në demokracitë e brishta, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ky manipulim i proceseve demokratike është manifestim i luftës hibride, ku përdoren strategji politike, ekonomike dhe informative për të arritur objektivat strategjikë.

Së fundmi, jemi dëshmitarë edhe të deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz mbi zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar qartazi që të votohet LSDM-ja. Kjo deklarata e z. Scholzit nuk është thjesht një preferencë personale e tij, por një lëvizje e llogaritur brenda një strategjie gjithëpërfshirëse për të mbrojtur interesat kryesore të NATO-s dhe të BE-së në rajonin strategjik të Ballkanit Perëndimor.


Çdo ndryshim në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut, që nuk përputhet me interesat e Perëndimit, mund të krijojë potencialisht një bosht të rrezikshëm anti-perëndimor dhe kauzi-perëndimor, duke përfshirë Serbinë, Republikën Sërpska, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ky zhvillim mund të ketë implikime të gjera për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit, dhe si rrjedhojë, për interesat e Perëndimit.

Në këtë kontekst, proceset zgjedhore janë bërë komponent kritik i ndikimit gjeopolitik, duke formuar aleancat dhe duke ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si e tillë, njohja e dinamikës së politikës zgjedhore në vendet e treta është thelbësor për të hulumtuar në kompleksitetin e rendit bashkëkohor global. Pra, jemi në trendin “zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë”.

Shembull, në ShBA sfida elektorale mes pretendentëve Joe Biden dhe Donald Trump nuk është thjesht një duel politik brenda kufijve të tyre, por gjithashtu është spektakël që mund të prek thellësisht strukturat gjeopolitike globale.

Në këtë kontekst, vëzhgohet me kujdes se si ndryshimi i qeverisë në ShBA potencialisht mund të ndikojë në orientimin gjeopolitik dhe në marrëdhëniet me akterët ndërkombëtarë.

Gjatë kësaj periudhe zgjedhore, është e vështirë për të mos vënë re ndikimin e interesave të jashtme në fushatën dhe rezultatin e zgjedhjeve në ShBA. Në një mjedis gjeopolitik të ndryshuar dhe të rëndësishëm, akterët ndërkombëtarë përdorin mjetet e veta diplomatike, ekonomike dhe propagandistike për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve në vendin më të fuqishëm në botë.

Në këtë mënyrë, vendimi elektoral nuk do të jetë vetëm manifestim i preferencave politike të popullsisë amerikane, por gjithashtu shprehje e përcaktimit të përgjegjësive dhe sfidave që i takojnë një lideri të ri të përzgjedhur në kontekstin e një bote në ndryshim.

Në kontekstin e sfidave gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, veprimet e Rusisë dhe Serbisë nëpërmjet përdorimit të strategjive të luftës hibride në Maqedoninë e Veriut, përfaqësojnë një përpjekje të qartë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të manipuluar strukturat politike në favor të interesave tyre. Në këtë skenar, qëllimi është krijimi i një situate politike të paqëndrueshme, e cila do të rezultojë në një qeverisje të pasigurt e cila do të mbajë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të ngjashme me atë të Malit të Zi.

Në detaj, kjo strategji synon që të sigurojë një fitore për partitë e djathta nacionaliste si VMRO-DPMNE, duke i ndërlidhur ato me një lëvizje të majtë, siç është Levica, për të krijuar një koalicion qeverisës që përfshin edhe ndonjë koalicion shqiptar në emër të multietnicitetit dhe garancisë kinse pro-perëndimore. Megjithatë, në kushtet e qeverisjes së tillë, nuk mund të garantohet stabiliteti shtetëror dhe institucional.

Në këtë situatë, fuqitë perëndimore do të jenë të detyruara të pranojnë një strukturë të tillë qeverisjeje në emër të stabilitetit, siç kanë vepruar më parë në rastin e Malit të Zi. Stabiliteti mund të rikthehet në sfidë, por jo nga faktori shqiptar pasi është e rëndësishme të përcaktojmë se rreziku i përkeqësimit të tensioneve etnike në Maqedoninë e Veriut nuk ka burim në faktorin shqiptar. Në vend të kësaj, tensionet etnike kryesisht vijnë nga faktorët e brendshëm maqedonas.

Shqiptarët, qoftë në aspektin politik apo etnik, kanë demonstruar një ndërgjegje të qëndrueshme shtetërore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke ruajtur një orientim pro-perëndimor dhe duke shprehur vullnetin e tyre për të qenë pjesë e strukturave shtetërore dhe politike të vendit. Ky qëndrim i tyre i përhershme ka përbërë një element stabilizues në peizazhin politik të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nga ndryshimet në karakteret ideologjike dhe strategjike të partive politike nga ana maqedonase.

Prandaj, për të kuptuar dhe adresuar tensionet etnike në Maqedoninë e Veriut, duhet të kthehemi te sfidat dhe dinamikat brenda komunitetit maqedonas, duke i shqyrtuar ato në kontekstin e historisë së vendit dhe të politikës së brendshme, dhe duke identifikuar burimet e tyre kryesore për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata për stabilitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut.

Për të ruajtur Maqedonia e Veriut integritetin, dhe për të shmangur influencën e përhapur ruso-serbe, një nga sfidat kryesore që duhet ta marrë seriozisht është zhvillimi ekonomik dhe social. Për të arritur këtë objektiv, është e rëndësishme që klasat politike, intelektuale e qytetare më Maqedonia e Veriut të luajnë rolin e patriotëve të vërtetë, duke u përpjekur për të mbrojtur mëvetësinë e saj dhe duke përparuar në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky proces kërkon që akterët politikë dhe shoqërorë të vendit të punojnë në harmoni për të shmangur përfshirjen e politikave të jashtme të cilat mund të çojnë në kapjen e shtetit, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për përparimin e vendit. Në të kundërtën, mosmarrëveshjet dhe tensionet politike mund të shkaktojnë revoltë sociale dhe destabilizim, duke rrezikuar ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si entitet shtetëror në strukturën e tashme politike.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vlerësojë seriozisht sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke marrë si shembull përballjen dhe trajtimin e tyre nga Malit të Zi. Lidhja e fortë me NATO-në dhe përpjekjet për integrim në Bashkimi Evropian janë gjithashtu thelbësore për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e vendit në një kontekst të ndryshuar gjeopolitik. Prandaj, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të kuptojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur për të ruajtur integritetin dhe për të përmbushur objektivat e saj strategjike në skenën ndërkombëtare.

Këto konkluzione kanë dalë nga punimi me titullin: “Lufta e hibride dhe rëndësia e zgjedhjeve në gjeopolitikën e Maqedonisë së Veriut: Në shënjestër të Perëndimit ose rikthimi në sferën e rusisë dhe serbisë” i publikuar nga Instituti Octopus. Ky punim shqyrton çështjen se si Maqedonia e Veriut, në krye të saj kishte një subjekt me segmente të forta pro-ruse dhe pro-serbe, për të ndryshuar pastaj në subjektin tjetër pro-perëndimor pas shumë sfidave dhe që tani rrezikohet prapë të bëjë kthim prapa si para vitit 2016 apo më keq.

Gjatë punimit kemi shqyrtuar kërcënimet e serbizimit në Maqedoni të Veriut, influencën ruse dhe angazhimet për ndryshim të qasjes drejt Perëndimit dhe luftën hibride e cila përveç që e ka dëmtuar Maqedoninë e Veriut, ajo ka qenë aq e fortë sa të angazhohet edhe në zgjedhjet në SHBA.

(Autori është hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride – Octopus. Titulli i plotë i shkrimit: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë)