ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e pranon se skuadra e tij shihet si favorite në përballjen ndaj kampionit të Lituanisë, Kauno Zalgirisit, por ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët para ndeshjes së kthimit.

Përballja e parë në Kaunas përfundoi me rezultat 1-1, ndërsa verdhekaltrit do të kërkojnë kualifikimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja zhvillohet të martën nga ora 20:00 në Prishtinë.


Ramadani ka theksuar se objektivi i vetëm i Dritës është fitorja dhe kalimi tutje, duke paralajmëruar se sfida ndaj kampionit lituanez nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Nesër është ndeshje me gjasa 50-50. Na favorizon vetëm paraqitja si vendës dhe uroj ta kemi edhe klimën në favorin tonë, sepse atje ishte një klimë tjetër. Uroj ta fitojmë ndeshjen. Ekipi është i shëndetshëm, jemi munduar t’i përmirësojmë gabimet. Shpresoj në një ndeshje të mirë. Nuk do të na interesojë loja e bukur, por me shumë duele dhe shpirt luftarak. Na intereson të kualifikohemi tutje”, ka thënë Ramadani në konferencën për media.


Trajneri shkupjan ka kërkuar nga futbollistët e tij më shumë guxim në krahasim me ndeshjen e parë, duke insistuar që skuadra të jetë më agresive në fazën sulmuese.

“Duhet të jemi me shumë të guximshëm se në ndeshjen e parë. Duhet të sulmojmë portën e kundërshtarit dhe ta mbajmë atë sa më larg portës sonë. Mund të vendosin detajet, momentet apo goditjet standarde. Por ne jemi bërë gati për të gjitha opsionet”, ka theksuar Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se Drita është përgatitur edhe për mundësinë e vazhdimeve, por beson se ndeshja mund të mbyllet pa pasur nevojë për penallti.


“Ndoshta shkon edhe në vazhdime. Jemi gati edhe për vazhdimet, por nuk i kemi menduar penalltitë, sepse kam besim se do ta fitojmë ndeshjen. Më intereson ta fitojmë ndeshjen, qoftë edhe në vazhdime”, ka thënë Ramadani.

Synimi i Dritës këtë edicion është arritja deri në plejofin e Ligës së Evropës, por klubi gjilanas do të synojë të përsërisë edhe suksesin e sezonit të kaluar në Ligën e Konferencës, ku pati një paraqitje të spikatur në Evropë.

Edhe portieri Faton Maloku ka kërkuar kujdes maksimal ndaj Zhalgirisit, duke vlerësuar forcën e kundërshtarit.

“Kemi arritur rezultat pozitiv nga ndeshja e parë. Por nuk jemi të kënaqur plotësisht. Kundërshtari është kampion dhe mund të ndëshkojë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i qasemi me seriozitet ndeshjes. Jemi favoritë sepse jemi vendas dhe me përkrahjen e shikuesve synojmë të vazhdojmë tutje”, ka thënë portieri shtatlartë.


Drita synon të vazhdojë rrugëtimin evropian dhe të sigurojë një tjetër natë të madhe në arenën ndërkombëtare, pas suksesit të sezonit të kaluar kur arriti deri në play-off e fazës nokaut të Ligës së Konferencës. /Telegrafi/

telegrafi sport app