Zbulohen tri raste të tentim-kontrabandës në Aeroportin e Prishtinës, kapen pajisje teknologjike dhe medikamente me vlerë mbi 20 mijë euro

Oficerët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë zbuluar gjatë fundjavës tri raste të ndara të tentim-importit të mallrave të padeklaruara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.


Sipas njoftimit zyrtar, rastet u zbuluan falë përdorimit të pajisjeve moderne X-Ray, përmes të cilave u identifikuan një sasi e konsiderueshme pajisjesh teknologjike dhe medikamentesh që tentonin të futeshin në Kosovë pa dokumentacion ligjor.

Në mesin e mallrave të ndaluara janë gjetur:

telefona Apple 17 Pro dhe Pro Max,

kompjuterë Mac Mini me M4 chip,

kamera MXBRIO 4K,

altoparlantë Sonos ERA100,

disqe të jashtëm WD Black 4TB,

si dhe medikamente për trajtimin e sëmundjeve të rënda.

Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara kap mbi 20 mijë euro.

“Kundër personave të përfshirë janë iniciuar procedurat kundërvajtëse sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës, ndërsa mallrat mbahen nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e procedurave,” thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.