Zbulohen detaje të propozimit të fundit iranian të refuzuar nga Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se nuk është “i kënaqur” me propozimin më të fundit të Iranit për zgjidhjen e konfliktit, por deri tani janë bërë publike pak detaje.
“Ata po kërkojnë gjëra me të cilat nuk mund të pajtohem”, tha Donald Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë dje, pa dhënë sqarime të mëtejshme.
Një zyrtar i lartë iranian ka përshkruar disa elemente të marrëveshjes që është në tryezë:
Lufta përfundon me garanci që Izraeli dhe SHBA-ja nuk do të sulmojnë më;
Irani hap Ngushticën e Hormuzit;
SHBA heq bllokadën e saj;
Bisedime të ardhshme për programin bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve nga SHBA;
Uashingtoni njeh të drejtën e Iranit për pasurim të uraniumit për qëllime paqësore, edhe nëse Irani pranon ta pezullojë atë.
“Brenda këtij kuadri, negociatat mbi çështjen më të ndërlikuar bërthamore janë zhvendosur në fazën përfundimtare për të krijuar një atmosferë më të favorshme”, tha zyrtari për Reuters.
Uashingtoni ka deklaruar vazhdimisht se nuk do ta përfundojë luftën pa një marrëveshje që pengon Iranin të pajiset me armë bërthamore.
Në vitin 2018, Trump e tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje historike e vitit 2015, e cila ishte arritur mes administratës së presidentit Barack Obama dhe Iranit dhe synonte të parandalonte Teheranin nga zhvillimi i armës bërthamore.
Sipas marrëveshjes, Irani kishte pranuar të reduktonte rezervat e uraniumit me 98 për qind dhe të mbante nivelin e pasurimit në 3.67 për qind, nën kufirin e nevojshëm për ndërtimin e një bombe.
Sipas Shoqatës Botërore të Energjisë Bërthamore, për funksionimin e një reaktori bërthamor nevojitet uranium i pasuruar në 0.7 për qind deri në 5 për qind, ndërsa armët bërthamore zakonisht përdorin uranium të pasuruar deri në 90 për qind. /Telegrafi/




















































