Garda Revolucionare iraniane hedh poshtë pretendimet e Trumpit për marrëveshje SHBA-Iran


Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë vënë në dyshim deklaratat më të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump se “pikat përfundimtare” të një marrëveshjeje me Teheranin janë miratuar, duke thënë se zyrtarët iranianë nuk kanë konfirmuar një marrëveshje të tillë.
Në një deklaratë, IRGC njofoti se “ndërsa zyrtarët iranianë ende nuk i janë përgjigjur pretendimeve të Trumpit, raporti thekson se që nga fillimi i luftës, Trump ka bërë vazhdimisht deklarata kontradiktore dhe të pasakta”.
Edhe agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, e cila konsiderohet e afërt me IRGC-në, reagoi ndaj deklaratave të fundit të Trumpit, duke thënë se pretendimet e tij për përparim në negociatat me Teheranin nuk duhet të merren si të mirëqena derisa Irani të shpallë zyrtarisht një marrëveshje, shkruan cnn.
“Derisa çdo mirëkuptim apo marrëveshje e mundshme të shpallet zyrtarisht nga Irani, çdo deklaratë e Trumpit për këtë çështje duhet të shihet në të njëjtën mënyrë si pretendimet dhe mesazhet e tij të mëparshme”, njoftoi Tasnim.
Më herët të enjten, Trump deklaroi se po anulonte sulmet ndaj Iranit, të cilat i kishte paralajmëruar vetëm pak orë më parë, pasi sipas tij “pikat përfundimtare” të një marrëveshjeje ishin miratuar.
“Bazuar në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë çuar në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit për këtë mbrëmje”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme sporadike duke thyer tërthorazi armëpushimin e arritur muaj më parë. /Telegrafi/





































