Ylli Real Madridit jashtë për muaj të tërë, humb edhe Kupën e Botës

Mbrojtësi brazilian i Real Madridit, Eder Militao, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë javë në Finlandë, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Alaves.
Lojtari u detyrua të largohej nga fusha për shkak të shqetësimeve në pjesën e pasme të kofshës, të cilat më pas u diagnostikuan si dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së majtë nga stafi mjekësor i klubit madrilen.
Vendimi për operim nënkupton se Militao do të mungojë në Kupën e Botës, ndërsa periudha e rikuperimit pritet të zgjasë rreth pesë muaj, një tjetër goditje e rëndë për karrierën e tij të shoqëruar shpesh nga dëmtimet.

Fillimisht, lojtari kishte shqyrtuar edhe mundësinë e një trajtimi konservativ, i cili do të reduktonte kohën e mungesës në rreth pesë javë dhe potencialisht do t’i jepte mundësinë të ishte i gatshëm për Kombëtaren e Brazilit.
Megjithatë, kjo alternativë mbante një rrezik më të lartë për rikthim të dëmtimit, çka e shtyu të zgjedhë ndërhyrjen kirurgjikale si opsion më të sigurt.
Ky është dëmtimi i tretë muskulor për Militao gjatë këtij sezoni, në të cilin ai ka arritur të luajë vetëm rreth 20 ndeshje.
Një dëmtim i mëparshëm, gjithashtu me përfshirje të tendinit, e la jashtë fushave për katër muaj, duke humbur 24 ndeshje.

Problemet fizike kanë qenë të vazhdueshme për brazilianin edhe në vitet e fundit.
Në gusht 2023 ai pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë, duke u rikthyer vetëm në mars 2024.
Ndërsa në nëntor të po atij viti, ai pësoi një tjetër këputje të plotë të ligamentit të kryqëzuar, këtë herë të shoqëruar edhe me dëmtim të të dy meniskëve, që e mbajti jashtë deri në korrik 2025.
Situata aktuale përbën një tjetër sfidë serioze për mbrojtësin, i cili synon të rikthehet në formën e tij më të mirë pas një periudhe të gjatë të vështirë. /Telegrafi/





















































