Ylli i Man Utd po kërkon të largohet nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit

Joshua Zirkzee raportohet se po kërkon të largohet nga Manchester United në janar, pasi ka rënë në disfavor nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim.
Pas vetëm tre paraqitjeve në Ligën Premier këtë sezon, sulmuesi është duke tërhequr interes nga dy klube të Serie A, ndërsa synon të rrisë shanset për t’u përfshirë në skuadrën e Holandës për Kupën e Botës 2026, duke u larguar nga ‘Old Trafford’.
Sipas një raporti nga gazeta italiane Gazzetta dello Sport, Zirkzee thuhet se është bërë i frustruar nga fakti që është përdorur kaq pak nga trajneri i United këtë sezon.
Të triat paraqitjet në ligë i ka pasur si zëvendësues, ndërsa ishte gjithashtu në stol edhe në humbjen me penallti ndaj Grimsby Toën në Carabao Cup, në muajin gusht.
Holandezi përjetoi gjithashtu një sezon debutues të vështirë te United, pas transferimit nga Bologna në vitin 2024, duke shënuar vetëm tre gola në ligë në 32 ndeshje, teksa skuadra përfundoi në vendin e 15-të, renditja më e keqe ndonjëherë në historinë e klubit në Ligën Premier, nën drejtimin e Amorim.

Sipas raportit, Zirkzee tashmë është duke planifikuar të largohet nga United në afatin kalimtar të janarit, për të shtuar shanset për t’u grumbulluar me përfaqësuesen holandeze, që është në rrugë të mbarë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës verën e ardhshme.
Sulmuesi, që ka gjashtë ndeshje me Holandën, nuk u përfshi në listën e trajnerit Ronald Koeman për ndeshjet kualifikuese të fundit, ku Holanda arriti fitore radhazi ndaj Maltës dhe Finlandës.
Pasi tërhoqi vëmendjen e Manchester United nga paraqitjet në Itali, Zirkzee tani po ngjall interes sërish në Serie A, me Romën dhe Comon që janë të gatshme ta transferojnë në janar, nëse klubi anglez do të lejojë largimin e tij./Telegrafi/




















































