eksperti-banner

Mesfushori i Liverpoolit, Wataru Endo, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar pasi u largua nga skuadra e Japonisë për Kupën e Botës, vetëm pak orë para fillimit të turneut.

33-vjeçari ishte përfshirë në listën prej 26 lojtarësh të Japonisë dhe ishte rikthyer në fushë në fund të muajit maj në ndeshjen miqësore ndaj Islandës.


Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për Endon, i cili kishte kaluar muaj të tërë jashtë fushave pas një operacioni në muajin shkurt për një dëmtim serioz në këmbë. Lëndimi ishte pësuar në një ndeshje të Ligës Premier kundër Sunderlandit dhe i kishte dhënë fund sezonit të tij.

Megjithatë, sfida ndaj Islandës rezultoi të ishte paraqitja e tij e fundit me fanellën e Japonisë. Të enjten në mbrëmje, veterani japonez konfirmoi vendimin për t’i dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren.

“Siç është njoftuar, do të largohem nga skuadra e Kupës së Botës. Që nga dëmtimi im, kam bërë gjithçka që kam mundur për të arritur deri këtu, ndaj nuk kam asnjë pendesë”.

“Sigurisht që ekziston zhgënjimi që nuk do të jem pjesë e këtij Botërori, por mbi të gjitha jam krenar për mënyrën se si jemi zhvilluar së bashku që nga Kupa e Botës në Katar”.

“Si kapiten, pata privilegjin ta udhëheq këtë ekip dhe ta kthejmë ëndrrën për ta fituar Kupën e Botës në një objektiv për të cilin flasim natyrshëm”, deklaroi Endo.

Gjatë karrierës së tij ndërkombëtare, Endo zhvilloi 73 paraqitje me Japoninë nga viti 2015 deri në vitin 2026, duke shënuar katër gola./Telegrafi/

telegrafi sport app