Portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez, ka lënë të kuptohet se mund t'i japë fund karrierës së tij me kombëtaren pas humbjes ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

Pavarësisht se realizoi 11 pritje, më shumë se çdo portier tjetër në historinë e finaleve të Botërorit, Martinez nuk arriti ta pengonte golin vendimtar të Ferran Torresit në vazhdime.


Finalja ishte ndeshja e tetë e Martinezit në këtë Botëror, ku ai ishte titullar në të gjitha takimet e Argjentinës, ndërsa në total regjistroi paraqitjen e 67-të me fanellën e kombëtares.

Portieri i Aston Villas tashmë e ka shkruar emrin në historinë e futbollit argjentinas, pasi ishte një nga heronjtë e triumfit në Kupën e Botës 2022.

Pas humbjes në finalen e së dielës në Neë York/Neë Jersey, Martinez u pa i dëshpëruar, duke qëndruar në stol mes lotësh, ndërsa futbollistët e Spanjës festonin triumfin.

Me moshën mesatare të Argjentinës që ishte afër 30 vjeç gjatë këtij Botërori, pritet që kombëtarja të pësojë ndryshime deri në edicionin e ardhshëm në vitin 2030. Edhe e ardhmja e Lionel Messit dhe trajnerit Lionel Scaloni mbetet e paqartë.

Ndërkohë, 33-vjeçari la të kuptohet për një largim të mundshëm nga kombëtarja përmes një mesazhi të publikuar në Instagram të hënën.

"Kam ëndërruar ta fitoja sërish; kam ëndërruar ta sillja përsëri në Argjentinë dhe të shkruanim histori edhe një here”.

"Sinqerisht, dhimbja është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Tani duhet të reflektoj për shumë gjëra, të shoh si do të vazhdoj dhe të vendos nëse ka ardhur koha të tërhiqem”.

"Më vjen vërtet keq. Dhashë gjithçka që kisha për të ndihmuar vendin tim dhe shokët e skuadrës”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app