Katy Perry është emri i madh i muzikës që do të performojë në Sunny Hill Festival.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë festivali përmes një postimi në rrjetet sociale, si dhe përmes një video-lidhjeje mes artistes amerikane dhe artistes shqiptare, Dua Lipa.


Gjatë bisedës, Dua i referohet Katy-t si “motër”, ndërsa kjo e fundit tregon se do të jetë në turne gjatë verës. Në një mënyrë interesante, ajo zbulon se një nga ndalesat e saj do të jetë Prishtina, duke u bërë kështu e ditur se do të jetë pjesë e festivalit.


“Do të jem në një vend që quhet Prishtinë dhe do të performoj në një festival që quhet Sunny Hill Festival. Jam shumë e emocionuar që do të vij në Kosovë. Është hera ime e parë dhe ju falënderoj për ftesën. Jam shumë e emocionuar të takoj fansat e mi”, u shpreh Katy Perry gjatë bisedës me Dua Lipën.

Kjo ishte një mënyrë kreative për t’ua kumtuar lajmin fansave të Sunny Hill Festival se një artiste me famë botërore do të vijë në Kosovë për të performuar.

Katy Perry është një nga artistet më të njohura të muzikës pop në botë. Ajo njihet për hitet e saj si Dark Horse, I Kissed a Girl, Firework dhe shumë të tjera.

Ajo gjithashtu bëri histori duke qenë pjesë e një fluturimi të veçantë suborbital të organizuar nga Jeff Bezos, ku së bashku me disa gra të tjera kaloi një eksperiencë të shkurtër në hapësirë.