LAJMI I FUNDIT:

WhatsApp përballet me gjobën e parë nga Rusia për mos fshirjen e përmbajtjeve të ndaluara

WhatsApp përballet me gjobën e parë nga Rusia për mos fshirjen e përmbajtjeve të ndaluara

WhatsApp, shërbimi i mesazheve përballet me një gjobë maksimale prej 51,500 dollarëve, pasi Rusia e akuzoi platformën se ajo dështoi në fshirjen e përmbajtjeve të ndaluara.

Ky raportim erdhi të premten nga agjencia e lajmeve shtetërore RIA, e cila në raport citoi një gjykatë të Moskës.


Edhe pse kompania mëmë e WhatsApp, Meta Platforms u ndalua vitin e kaluar në Rusi si një organizatë “ekstremiste”, aplikacioni i mesazheve – i cili është gjerësisht i popullarizuar në Rusi – nuk është kërcënuar më parë me procedura ligjore për dështimin në heqjen e informacionit të ndaluar, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Raporti i RIA nuk specifikoi se çfarë informacioni thuhet se WhatsApp kishte dështuar të fshinte.

Tutje në raport thuhej se çështja administrative ishte paraqitur nga rregullatori i komunikimeve “Roskomnadzor”.

Në fillim të kampanjës së saj ushtarake në Ukrainë, Rusia prezantoi ligje të ashpra të censurës ushtarake, sipas të cilave janë gjobitur kompani të ndryshme të teknologjisë, duke përfshirë Google, Wikipedia dhe Discord. /Telegrafi/