LAJMI I FUNDIT:

Vuçiq kërkon garanci nga BE për marrëveshjen me Kosovën

Vuçiq kërkon garanci nga BE për marrëveshjen me Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të kërkonte garanci se vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2025 si pjesë e ndonjë marrëveshjeje me Kosovën, e cila do t’u haptë rrugën të dy vendeve t’i bashkohen bllokut, raporton Reuters.

“Nëse arrijmë ndonjëherë marrëveshje (me Kosovën), Serbisë do t’i duhej një garanci e qartë që do të bëhet anëtare e BE-së më 2025”, ka thënë Vuçiq në intervistën për agjencinë britanike të lajmeve.


Kosova dhe Serbia kanë nisur më 2013 një dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve.

Një takim i paraparë të mbahej javën e kaluar në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës, Hashim Thaçi e atij serb, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk u mbajt, do të shënonte fillimin e fazës së fundit të këtij dialogu.

Pala kosovare pret që dialogu të përfundojë me një marrëveshje, e cila do ta obligonte Serbinë ta njihte pavarësinë e saj dhe të mos pengojë anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera.