LAJMI I FUNDIT:

Votuesit amerikanë përballen me qasjet ndaj politikës së jashtme dhe mund ta pëlqejnë ofertën e Trumpit

Votuesit amerikanë përballen me qasjet ndaj politikës së jashtme dhe mund ta pëlqejnë ofertën e Trumpit
Tabloja e përplasjes: nacionalizmi i Trumpit kundrejt kryqëzatës globale pro-demokratike të Bidenit (foto: Photograph: Jim Watson/AFP/Getty)

Nga: Emma Ashford / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Donald Trumpi e ka mbërthyer nominimin presidencial republikan, duke e nisur fushatën e përgjithshme zgjedhore në ShBA – mes dy presidentëve të moshuar me një mandat, secili prej të cilëve është thellësisht jopopullor në mënyrën e vet. Megjithatë, ndoshta më e pazakonta për ShBA-në është se ajo gjithashtu po i fillon zgjedhjet në të cilën piketat për politikën e jashtme janë shumë më të forta se zakonisht e ku të dy rivalët presidencialë ofrojnë vizione rrënjësisht të ndryshme për rolin e ShBA-së në botë.


Politologët prej kohësh e kanë ditur se votuesit amerikanë zakonisht nuk votojnë për çështjet e politikës së jashtme – të cilat zbehen në krahasim me çështjet ekonomike ose sociale. Në vitin 2024, megjithatë, ky rregull nuk ka të ngjarë të zbatohet. Një mori e sondazheve të fundit sugjerojnë se amerikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar për politikën e jashtme; një sondazh zbuloi se katër në dhjetë votues e renditin këtë çështje si një ndër shqetësimet e tyre kryesore.

E gjithë kjo mund të jetë më pak befasuese sesa duket në fillim. Me dy luftërat e mëdha jashtë shtetit dhe perceptimet në rritje për një kërcënim nga Kina, politika e jashtme duket më urgjente më 2024 sesa në shumë vjet të tjera. Por, kjo tendencë përforcohet gjithashtu nga fakti se politikanët gjithnjë e më shumë po i përcaktojnë çështjet e politikës së brendshme industriale, të politikës energjetike dhe madje edhe të emigracionit si çështje të politikës së jashtme apo të sigurisë kombëtare.

Dhe, ndryshe nga shumë gara të mëparshme, ka një dikotomi të mprehtë midis dy palëve. Joe Bideni duket i përcaktuar të theksojë lidershipin e tij në çështjet e politikës së jashtme; në muajt e fundit, fjalimet e tij synonin të ndërlidhnin kujdesin e tij për luftës në Ukrainë – dhe mbështetjen për luftën e Izraelit në Gazë – me mbijetesën e demokracisë në Amerikë. Fjalimi i tij në Zyrën Ovale në tetor, vuri në dukje se: “Udhëheqja amerikane është ajo që botën e mban të bashkuar”. Pavarësisht nëse kjo është gjë e zgjuar ose jo, Bideni trashëgiminë e vet e sheh qartë si të një presidenti të politikës së jashtme – dhe demokracinë në mbarë botën e sheh si çështje kryesore të kohës sonë.

Ndërkohë, Trumpi gjithmonë ka përkrahur një botëkuptim më të ashpër nacionalist, një këndvështrim që bie ndesh me vizionin e Bidenit për Amerikën si oficer i policisë botërore. Në fillim të këtij muaji, ai u tha mbështetësve se nuk do t’i mbrojë vendet anëtare të NATO-s që nuk po i përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës – dhe, në të vërtetë, ndoshta do të mirëpriste një sulm rus në Evropë.

Tabloja e përgjithshme ka të ngjarë të jetë një nga narrativat e mëdha të përplasjes: nacionalizmi Së pari Amerika [America First] e Trumpit kundrejt kryqëzatës globale pro-demokratike të Bidenit. Të dyja palët do të përshkruhen me njolla: Trumpi padyshim do të argumentojë se Bideni është globalist që vendos nevojat e vendeve të huaja mbi interesat e votuesve amerikanë, qofshin ata punëtorë të një fabrike në Ohajo apo ushtarët amerikanë të stacionuar në Lindjen e Mesme. Bideni, nga ana tjetër, do të argumentojë se Trumpi është izolacionist që nuk e kupton rolin jetik të ShBA-së si komb i domosdoshëm që promovon paqen dhe stabilitetin global.

Dikush dyshon se kjo betejë – e kombinuar me kaosin e vazhdueshëm në çështjet botërore – nuk ka gjasa të favorizojë Bidenin. Votuesit amerikanë janë gjithnjë e më skeptikë rreth idesë se Amerika është komb i domosdoshëm në botë; ndërsa, votuesit e rinj, në veçanti, kanë dyshime për angazhimin e administratës Biden ndaj të drejtave të njeriut dhe janë të tmerruar për mbështetjen e tij për luftën e Izraelit në Gazë. Natyrisht, problemi tjetër i Bidenit është se më lehtë është të kritikosh sesa të rregullosh problemet komplekse ndërkombëtare.

Aty ku Bideni mund të jetë në gjendje të bëjë sulm është që t’ua përkujtojë votuesve se sa e zhgënjyer dhe kaotike ishte presidenca e parë e Trumpit. Në fund të fundit, Trumpi ishte i dashuruar me Kim Jong-unin – i cili ia dërgoi letrat më të ëmbla – shumë kohë përpara se të kthehej kundër “njeriut të vogël raketë”. Trumpi nuk i fshehu përpjekjet e tij për të joshur Xi Jinpingun përpara se të kthehej në luftën tregtare kundër Kinës. Dhe, ishte kundër ndërhyrjes në Siri, pastaj për ndërhyje, dhe më pas edhe njëherë kundër kësaj. Një presidencë e dytë e Trumpit pa dyshim që do të përfshinte të njëjtën paqëndrueshmëri dhe protestat nga mbështetësit e tij se stafi më i mirë mund ta zgjidhë këtë problem.

Por, mund të bëjmë disa parashikime për një presidencë të dytë të Trumpit – me një sasi të arsyes për t’i besuar ato. Në praktikë, ai ndoshta do të mbajë qëndrim shumë më të ashpër ndaj Kinës, duke përfshirë tarifat e reja dhe kufizimet tregtare. Konservatorët e shquar që mund të kenë role në administratën e tij – si ish-zëvendës ndihmësi i sekretarit të Mbrojtjes, Elbridge Colby – janë avokatë të shquar për reagimet ndaj Kinës dhe armiqësia e Trumpit ndaj tregtisë së lirë është e njohur. Ai pothuajse dhe me siguri do t’ia japë Evropës përparësinë në krahasim me Azinë. Aleatët e tij në Kongres, tashmë skeptikë për ndihmën ndaj Ukrainës, nuk ka gjasa të miratojnë shpenzimet e tjera të rëndësishme ose armët për Kievin.

Ndoshta rreziku më i madh potencial i politikës së jashtme qëndron në kufirin jugor të ShBA-së, ku fluksi në rritje i emigrantëve nga e gjithë bota që kërkojnë azil, po perceptohet gjithnjë e më shumë – nga shumë amerikanë – si kërcënim. Trumpi ka premtuar ta trajtojë këtë si çështje të sigurisë kombëtare, duke u zotuar të vendos trupa në kufij dhe potencialisht edhe duke u angazhuar në veprimet ushtarake kundër karteleve në Meksikë apo gjetkë. Kjo është një fatkeqësi e mundshme. Fushatat e tmerrshme 20-vjeçare të ShBA-së në Irak dhe Afganistan ishin mjaft të këqija; fushata e ngjashme në kufirin e saj jugor mund të jetë shumë më e keqe.

Pastaj ka elemente të një administrate të dytë Trumpit – të cilat çuditërisht mund të duken të qëndrueshme; administrata e Bidenit ka ruajtur tashmë një numër të jashtëzakonshëm të politikave të Trumpit, që nga luftërat tarifore ndaj Kinës e deri te përqafimi i normalizimit saudito-izraelit. Megjithatë, zgjedhjet kanë të bëjnë po aq me narrativën sa çdo gjë tjetër, dhe Trumpi do të përfitojë gjatë gjithë vitit 2024 nga aftësia për të kritikuar të dhënat e politikës së jashtme të Bidenit, si dhe për të paraqitur vizionin e tij për një qasje të tëholluar për Së pari Amerika. Në të vërtetë, sondazhet sugjerojnë se kjo mund të ndikojë në tërheqjen e konsiderueshme të votuesve: shumica e amerikanëve mendojnë se është koha për të nxitur zgjidhjen e negociuar në Ukrainë, ndërsa shumica beson se ShBA-ja duhet ose të zvogëlojë ose të tërheq plotësisht trupat nga Evropa dhe që ShBA-ja të ketë rol të madh global, por jo rolin e udhëheqësit.

Në fund të fundit, është e pamundur të parashikohet me saktësi ndonjë gjë kur bëhet fjalë për Trumpin; sjellja e tij në detyrë nuk kishte kurrë ngjashmëri me retorikën e tij. Por, siç tregon rrëmuja mbi angazhimet e ShBA-së ndaj NATO-s, politika e jashtme ka të ngjarë të jetë çështje e rëndësishme gjatë gjithë fushatës presidenciale të këtij viti, dhe një çështje që – ndoshta në mënyrë kundërintuitive – luan me pikat e forta të Trumpit. Pas 20 vjetëve të promovimit të demokracisë dhe luftërave në Lindjen e Mesme – dhe pas katër vjetëve që kanë parë kaq shumë trazira dhe kriza në çështjet ndërkombëtare – a mund të jetë me të vërtetë e sigurt fushata e Bidenit se vizioni i Trumpit për një ShBA që kujdeset së pari për interesat e veta nuk do të ketë ndikim te votuesit? Ky është një bast i rrezikshëm. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Muhamet Hajrullahu
Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Botë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Lajme
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Gjermania paralajmëron për pasojat e sulmit të dyshuar kibernetik rus

Gjermania paralajmëron për pasojat e sulmit të dyshuar kibernetik rus

Evropa
Kalo në kategori