LAJMI I FUNDIT:

Vizita e Merkelit në Tiranë, si ajo e Bushit në vitin 2007

Vizita e Merkelit në Tiranë, si ajo e Bushit në vitin 2007
Ilustrim

Natyrisht që nuk janë as kushtet politike e rajonale të njëjta, e as konteksti i zhvillimeve në rajon, por edhe tek fuqitë e mëdha në lidhje me Ballkanin.

Por, nëse shikohet me kujdes, vizita e Angela Merkelit në Tiranë është një “homologe” e asaj të George W Bushit më 10 qershor 2007, kur shpalli botërisht se Kosova do të bëhet shtet i pavarur.


Stili politik i Bushit, dhe i Merkelit, së bashku me logjikën e funksionimit të dy shteteve që ata përfaqësojnë është i ndryshëm, por megjithatë thelbi ka rëndësi në këtë rast.

Ndërsa 14 vjet më parë, pavarësia e Kosovës ishte një prioritet politik, pas një periudhe tetëvjeçare administrimi ndërkombëtar, tashmë prioritet është zgjidhja përfundimtare e kësaj “nyjeje gordiane”.

E, duke qenë se kjo nyje tashmë ka një adresë tjetër, pika më e rëndësishme e vizitës së fundme të Angela Merkelit në Ballkan ishte Beogradi, ku takoi Aleksandër Vuçiqin.

Në Serbi ajo kërkoi që të zgjidhet tani njohja e Kosovës nga Serbia; e mirë do të ishte tha ajo nën presidencën e Aleksandër Vuçiqit, që Merkel e ka partner prej vitesh.

Javën e ardhshme, në Beograd do të jetë njeriu i Merkelit në krye të Evropës, Ursula Von der Leyen, e cila do të firmosë financimin e autostradës Nish-Prishtinë.

Ndërkohë, në kryeqytetin e Kosovës, nesër mbërrin Miroslav Lajçak, negociatori i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, ku do të qëndrojë tre ditë rresht për të arritur të nxjerrë një draft mbi bisedimet e ardhshme Kurti-Vuçiq.

Aq e vërtetë është kjo, sa vetë Vuçiq deklaroi mbrëmë se “ne e jemi të vetëdijshëm se nuk kemi të ardhme në BE, nëse nuk njohim Kosovën”.

Nga ana tjetër, Merkel e tha troç se Serbia duhet t’i lë lojërat e dyfishta me Rusinë e Kinën, nëse dëshiron të hyjë në BE. E, këtë e lidhi edhe me interesat gjermane për të përdorur rezervat serbe të litiumit “naftës” së shekullit XXI, që është jetik për bateritë e makinave dhe teknologjisë digjitale. “Mund të ketë shumë të tjerë që janë të interesuar për interesat e litiumit, por Gjermania është gjithashtu e interesuar”, tha Merkel në Beograd, çka i vuri vulën logjikës së interesit strategjik të Berlinit për Ballkanin.

Merkel në Beograd tha edhe një gjë tjetër të rëndësishme, se Gjermania do të jetë interlekutorja që pesë shtetet e BE-së që s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë përpara sesa Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshjen finale.

E, në këtë rast, duhet kujtuar se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ndryshe nga paraardhësi i tij Donald Trump që ishte konkurrues me Gjermaninë, madje dhe i vuri tarifa tregtare, është mjaft bashkëpunues me Berlinin. Madje, për Ballkanin është ShBA-ja që i ka njohur Gjermanisë rolin e saj aktiv, një rol që është shumëdimensional: gjeopolitik, ku i gjithë rajoni do të hyjë në BE e ku të mbajë larg Kinën e Rusinë; politik, ku do të zgjidhë problemet e vjetra konfliktuale të rajonit; dhe natyrisht ekonomik, ku në këtë pikë Berlini i ka të gjitha mundësitë të krijojë kushtet për një treg të integruar e integral.

Të mos harrojmë se Gjermania është financuesi kryesor i interkonjeksioneve të energjisë elektrike në rajon, kryesisht në hapësirën shqiptare, pra linjat Shqipëri-Kosovë, Shqipëri-Mali i Zi, Shqipëri-Maqedoni e Veriut, e natyrisht në projektet infrastrukturore të ujësjellës kanalizimeve.

Disa qytete shqiptare, si Kavaja, Pogradeci, Shkodra etj. kanë linja moderne të ujësjellësve falë investimeve gjermane, e në këtë rast kur ka investime gjermane ka edhe ndjekje punësh gjermane. Pra, çdo cent është ndjekur deri në segmentin final të projektit.

Janë miliarda euro që nuk janë hedhur pa logjikë, e pa një vizion që duket qartas që do të jetë ekuilibri politik i një “tutori” të ri të Ballkanit.

Nuk është e rastësishme që qarqet filo-ruse në Beograd kanë përhapur video që kujtonin lidhjen me periudhën naziste, kohë kur Ballkani ishte gjithashtu një hapësirë e bashkuar dhe treg unik. Një video e qarqeve nacionaliste pranë partisë së Vuçiqit, tregonin një parodi të bisedimeve të ish-presidentin Boris Tadiq me Merkelin, ndërkohë që linjë zanore ishte kënga “Lili Marleen” e kënduar nga ‎Marlene Dietrich.

Po kjo valë e fake news-eve ka vijuar me lajmin e rremë për bllokimin e kryeministrit malazez, që normalisht nuk ngjiti, por që tentoi të turbullonte takimet. E, se është e qartë që ka një shqetësim të shtuar të Moskës dhe Pekinit për këtë vizitë të Merkelit, mjafton të konsultosh mediat serbe apo ruse në serbisht. Madje, kishte edhe reporterë shqiptarë nga Beogradi që e përgënjeshtronin mesazhin e saj për Kosovën, çuditshëm, kur kjo thjesht i vyejti mediave serbe për të bërë “përkthimin”. Ndërkaq, i ashtuquajturi incident me gazetarët e disa mediave të Kosovës që thyen kufjet përse s’ju dha fjala në konferencën e shtypit mes Ramës dhe Merkelit, mund të mos trajtohej si i tillë. Në një konferencë shtypi, e gjithë “hileja” është kur e kërkon fjalën i pari. Më 1998, kur në Rinas ishte në një konferencë shtypi mes Javier Solanas e Fatos Nanos, Miliaim Zeka i bëri pyetjen për mesazhin ndaj Millosheviqit që u bë lajm botëror. Në vitin 2000, kur kryeadministratori i Kosovës dhe kreu i KFOR-it dilnin në konferencë shtypi për zgjedhjet e para në Kosovë, që ishin ato vendore, pyetjen e parë ia bëri Anila Basha, të dytën Mimoza Picari, e me radhë katër reporterë nga Tirana. Disa gazetarë të Prishtinës u ankuan, e Bernard Kouchner tha: “kështu e ka kjo punë, më i shkathëti, më i shpejti”.

Por, megjithatë ka një dimension shumë të rëndësishëm që i jep vizitës së Merkelit në Tiranë, fiks peshën e asaj që Bushi i dha më 2007: pikërisht në kryeqytetin shqiptar, Merkel zgjodhi të mbledhë liderët e Ballkanit. Mund ta bënte edhe në Beograd, por zgjodhi Tiranën.