Si qëndrojnë vendet e Ballkanit sa i përket lirisë së medias?

Reporterët pa Kufij (RSF) kanë publikuar Indeksin e 25-të Botëror të Lirisë së Shtypit.
Këtë vit, analiza nxjerr në pah një përkeqësim alarmues të kushteve për gazetarinë në shumë pjesë të botës, pavarësisht disa përmirësimeve të izoluara, pasi 100 nga 180 vende dhe territore kanë parë rënie të rezultatit të lirisë së shtypit.
Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin e 84-të, 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.
“Me përjashtim të Kosovës, që shënoi përparim pavarësisht se mbetet një nga shtetet me renditjen më të ulët në Evropë, liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet”, thanë Reporterët pa Kufij, shkruan REL.
Por, pavarësisht përparimit të shënuar, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk qëndron më së miri sa i përket lirisë së shtypit.
Mali i Zi renditet në vendin e 41-të (nga 37 sa ishte vitin e kaluar) në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45-të (ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të), Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83-të (vitin e kaluar ishte në vendin e 80-të), Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90-të (vitin e kaluar ishte në pozitën e 86-të) dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104-ta (vitin e kaluar ishte në vendin e 96-të).

Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.
Në indeksin e organizatës, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180-të është Eritrea. /Telegrafi/



















































