Rreziqet për mëlçinë dhe pankreasin, kirurgu Arbër Morina i sqaron në podcastin "Shëndeti në rend të parë"

Në episodin e 71-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, kirurgu abdominal Arbër Morina trajtoi në detaje problemet që lidhen me organet vitale si mëlçia dhe pankreasi, duke ndarë njëkohësisht edhe një rrëfim personal nga periudha e luftës në Kosovë.
Duke folur për shëndetin, Morina theksoi se shumë probleme me mëlçinë fillojnë me simptoma të lehta që shpesh neglizhohen nga pacientët.
“Shenjat klinike që mëlçia ka fillu me vuajt, së pari janë fryrja e barkut dhe ndjenja e rëndesës në anën e djathtë”, tha ai.
Sipas tij, një ndër sinjalet më të rëndësishme që kërkon reagim të menjëhershëm është zverdhja.
“Kur niveli i lëngut të verdhë rritet në gjak, atëherë pacienti fillon me u zverdhë”, shpjegon Morina.
Ai thekson se shpesh pacientët e vërejnë këtë ndryshim fillimisht në sy, para se të shfaqet në lëkurë.
“Shenja e parë që njerëzit e vërejnë është zverdhja e pjesës së bardhë të syrit”, shtoi ai.
- YouTube www.youtube.com
Në lidhje me diagnostikimin, kirurgu rekomandon fillimisht ekzaminimet bazë, duke veçuar ultrazërin si metodën më të thjeshtë dhe më të sigurt.
“Më e thjeshta për ekzaminime është ultrasonografia… nuk rrezaton dhe nuk ka asnjë efekt anësor”, tha Morina.
Ai paralajmëroi gjithashtu për një fenomen të përhapur në Kosovë – abuzimin me analiza të panevojshme.
“Nuk duhet me u bo analiza në qoftë se nuk ke halle… në Kosovë ekzagjerohet me çështjen e analizave”, u shpreh ai.
Duke folur për pankreasin, Morina e përshkroi atë si një organ kyç për metabolizmin e sheqerit në trup.
“Pankreasi koordinon punën e metabolizmit të sheqerit në trupin e njeriut”, theksoi ai.
Morina shpjegoi se kur pankreasi nuk funksionon si duhet, kjo çon në diabet.
“Diabeti nuk do të thotë që njerëzit nuk kanë sheqer në gjak, përkundrazi, ata kanë shumë, por nuk e metabolizojnë dot”, shtoi Morina.
Një ndër shqetësimet më serioze që ai ngriti ishte kanceri i pankreasit, i cili shpesh zbulohet shumë vonë.
“Në shumicën e rasteve kur pacienti jep shenja klinike është tepër vonë”, paralajmëroi ai.
Në pjesën e dytë të podcastit, biseda mori një dimension më personal dhe emocional, kur Morina rrëfeu për përvojën e tij gjatë luftës në Kosovë.
Ai tregoi se kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte shërbyer si mjek në vijën e frontit në Koshare.
“Kam pas fatin me qenë ushtar i UÇK-së në Kosharen e Lavdishme”, tha ai .
Morina kujtoi momentet e vështira të luftës, duke treguar se ishte plagosur dy herë.
“Në Koshare jam plagos dy herë… dhe kam qenë 45 ditë në spital pa vetëdije”, rrëfeu ai.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë të "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com



















































