LAJMI I FUNDIT:

Vizioni empatik i fotoreporterit Colin Jones

Vizioni empatik i fotoreporterit Colin Jones

Balerini i Baletit Mbretëror të Anglisë, Colin Jones (8 gusht 1936 – 22 shtator 2021), ishte një nga fotoreporterët më të famshëm të Britanisë së pasluftës, që mbulonte tema të ndryshme – si jeta e punës në verilindjen industriale, Baleti Kombëtar Anglez, trazirat racore në Alabama dhe të rinjtë afrikano-karaibean në Londrën e viteve 1970. Gjithçka vëzhgonte me sy empatik. Jones gjithashtu dokumentoi artin dhe kulturën e të rinjve me portretet e tij ikonike të grupeve dhe emrave si Who, Julie Christie, Tom Waits … Një përzgjedhje të fotove të tij, nga kritiku i ditores “The Guardian”, Telegrafi e sjell si më poshtë.

Njerëzit kërkojnë thëngjill në një pirg mbeturinash afër Sandërlandit, 1962: Jones u magjeps nga jeta e minatorëve në angazhimin e tij të parë për revistën “Observer” (pasi u largua nga Baleti Mbretëror më vitin 1962). Ai u dërgua në Anglinë verilindore për të dokumentuar mbylljen e hershme të vendeve të punës.


Balerina e Baletit Kombëtar Anglez, 1999: “Mund të tingëllojë e çuditshme, por hasa në shumë ngjashmëri mes jetës së minatorëve dhe balerinëve. Ishte e njëjta varësi nga forca, nga aftësia dhe qëndrueshmëria, i njëjti raport i komunitetit të lidhur ngushtë për ta kryer një punë. E, kur e përfundojnë punën, të dy palët janë të rraskapitura fizikisht dhe të mbuluara nga djersët – megjithëse minatorët janë të mbuluar me pluhur qymyri dhe puna e tyre është plot me rreziqe”.

Një studim i këmbëve të një balerine, pranë një bishti cigareje, 1999: Ndikim më të madh në fotografinë e Jonesit kishte fotografi i artit në “Observer”, Michael Peto, të cilin e takoi në prapaskenë në Shtëpinë e Operës Mbretërore në vitet 1960. Peto ishte emigrant hungarez, veprën e të cilit Colini e kishte admiruar gjithmonë. “Michael nuk bënte fotografi në të njëjtën mënyrë si të tjerët. Ai mund ta shihte baletin për atë që është – një punë të madhe. Shumë nga fotografitë e tij ishin të valltarëve të rraskapitur pas lodhjes së pafund gjatë provave”.

Një djalë dhe vajzë e vogël qëndrojnë para një grumbulli qymyri të hedhur në rrugë, në Peterle të Kontesë Durham, 1966: Peto e njohu Jonesin me redaktorin e fotografisë të “Observer”-it, Dennis Hackett. Detyra në verilindje rezultoi me përhapjen e parë të fotografive të tij – imazhe mahnitëse të burrave dhe grave që kërkonin thëngjill – në një pirg të mbeturinave pranë Sunderlandit – të cilin e bartnin në shtëpi me thasë mbi biçikletat e tyre të vjetra.

Komisioneri i qytetit të supremacisë së bardhë, Theophilus Eugene ‘Bull’ Connor, në Birmingem, Alabama, ShBA, maj 1963: Teksa Jonesi ishte me pushime në ShBA, më 1963, redaktori i fotografisë në “Observer”, Peter Crookston, e largoi nga pushimet për të mbuluar trazirat racore në Alabama, ku fotografoi udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King dhe shefin e policisë segregacioniste, “Bull” Conor, i cili i kishte hedhur qentë mbi protestuesit paqësorë.

Birmingem, Alabama, ShBA, maj 1963: Katër muaj pasi u bë kjo fotografi, të dielën e 15 shtatorit 1963, katër anëtarë të Kju Kluks Klanit e hodhën në erë Kishën Baptiste të Rrugës 16, duke vrarë 14-vjeçarët Addie Mae Collins, Cynthia Wesley, Carole Robertson dhe 11-vjeçaren Carol Denise McNair, si dhe duke plagosur 22 të tjerë. Ky akt ishte moment vendimtar i lëvizjes amerikane të të drejtave civile.

Birmingem, Alabama, ShBA, maj 1963:  Një djalë mban një rrotë që ka marrë nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara gjatë trazirave që shpërthyen pas bombardimeve me motivim racor në shtëpinë pranë predikuesit AD King, vëllait të udhëheqësit të të drejtave civile, Dr. Martin Luther King, dhe Motelit “Gaston” ku rrinin Kingu dhe të tjerët që organizonin protestat.

Birmingem, Alabama, ShBA, maj 1963:  Në një konferencë shtypi, njerëzit dëgjojnë pesë adoleshentë që u tregojnë mediave për arrestimet dhe keqtrajtimet nga ana e policisë.

Birmingem, Alabama, ShBA, maj 1963:  Një grup policësh përballë Kishës Baptiste në Rrugën 16, një kishë kjo me kongregacion kryesisht afrikano-amerikan që shërbeu gjithashtu si bazë për lëvizjen e të drejtave civile.

Shtëpia e Zezë, Londër, 1973-76: Nga “Observer”-i, Colini e nisi punën si i pavarur, përfshirë revistën “Sunday Times”. Puna më e mirënjohur e tij nga ajo kohë ishte Shtëpia e Zezë – dokumentimi i një grupi, kryesisht të rinjsh me ngjyrë, që jetonin në tarracën e shkatërruar të një shtëpie në Ajlington të Londrës veriore.

Shtëpia e Zezë, Londër, 1973-76:  Ata ishin fëmijët e brezit të parë të emigrantëve prej Karaibeve, të cilët kishin ardhur për t’u bashkuar me prindërit e tyre dhe që ishin tjetërsuar prej paragjykimeve që përjetuan. Shumica ishin të papunë dhe disa kishin dënime për vepra penale.

Shtëpia e Zezë, Londër, 1973-76: Për gjashtë javë, Jones dhe gazetari i “Sunday Times”-it, Peter Gillman, e vizitonin Shtëpinë e Zezë për të fituar besimin e të rinjve, para se të bëheshin fotografitë ose të hapet një fletore. “Colin me të vërtetë u mbërthye nga kjo”, ka thënë Gillman. “Ai madje mbante rregullisht korrespondencë me njërin prej tyre, që ishte në burg. Me sjelljen e tij të butë dhe joshëse, ishte në gjendje t’i bindte të rinjtë që ta linin t’i fotografonte”.

Shtëpia e Zezë, Londër, 1973-76:  Durimi i tyre u shpërblye me një kopertinë të revistës me mbititullin “Buzë getos”. Fotografitë u ekspozuan në Galerinë e Fotografëve më 1977 dhe më 2006 u botuan si libër me titullin “Shtëpia e Zezë”.

Papunësia në Liverpul, nëntor 1962:  Vlerësimi më i madh i Jonesit ishte një letër, e vendosur në ram në murin e dhomës së tij të errët, nga fotografi i mirënjohur Bill Brandt, për portretet e tij të viteve 1960 të personazheve me armë në një grindje midis tregtarëve rivalë të skrapeve në Fulham, në jugperëndim të Londrës. “I dashur Colin Jones, mendoj se duhet t’ju them se sa i kënaqur jam me paraqitjen tuaj në ‘Sunday Times’-in e djeshëm. Them se ato janë fotografitë më të fuqishme që i kam parë për një kohë të gjatë. Urime”.

Zona e Rrugës Skotsvud, Njukasëll, 1963: Jonesi nuk u pensionua kurrë, por angazhohej gjatë tërë kohën në dhomën e tij të errët, në shtëpinë e tij në Barns në perëndim të Londrës, duke bërë printime me cilësi muzeore të fotografive nga arkivi i tij, disa prej të cilave ua shiti koleksionistëve.

Lugina Dul, Uellsi jugor, 1985.

Moda dhe rokerët, Brajton, 1964.

Roger Daltrey i grupit The Who, Londër, 1966.

Anëtari i grupit The Who, John Entwistle, në shtëpi me nënën e tij Maud (Queenie), Londër, 1966.

Princesha Margaret në një takim në skenën e Operës Mbretërore, bashkë me balerinat Georgina Parkinson dhe Antoinette Sibley, Londër, 1960.

Artisti David Hockney, Londër, 1967.

Tom Waits, Nju-Jork, 1986.

Aktorja Julie Christie duke rregulluar flokët, në prag xhirimeve të skenave për filmin “Darling”, 1965.

The Who, 1966.

Rudolph Nureyev dhe Lynn Seymour, Londër, 1966: Kjo ishte fotografia e preferuar e Jonesit. Ai i ka thënë gazetarit Andrew Pulver: “Kjo foto është e vitit 1966 për revistën ‘Life’, si pjesë e serisë nga jeta e Rudolf Nureyevit. Është bërë në një pab në Fulham. Gruaja aty është Lynn Seymour, me të cilën isha i martuar gjatë asaj kohe. Dilnim bashkë gjatë gjithë kohës. Rudi bënte humor dhe bisedë të mirë. Ishte shumë i zgjuar; fliste gjashtë gjuhë dhe e kishte një magnetizëm kafshëror: nuk mund t’i hiqje sytë prej tij, kur ai ishte në skenë”. /Telegrafi/